SHBA kritikon politikat e Gjermanisë-Kinës

31/10/2013 04:00

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar politikat ekonomike të Gjermanisë, duke thënë se modeli i tyre i udhëhequr nga eksportet po dëmton eurozonën dhe ekonominë globale më gjerë.

Në raportin e tij dy vjeçar, Departamenti amerikan i Thesarit ka deklaruar se rritja e kërkesës së brendshme në Gjermani ka qenë “anemike”. Aty theksohet edhe pikëpamja e tyre se juani kinez vazhdon të mbetet “konsiderueshëm i nënvlerësuar”.

Raporti i ka kritikuar politikat kineze edhe më parë, por kritikimi i politikave ekonomike të Gjermanisë është diçka e rrallë.

“Shpejtësia anemike e rritjes së kërkesës së brendshme të Gjermanisë dhe varësia nga eksportet kanë penguar ribalancimin në një kohe kur shumë vende të tjera të zonës së Euros kanë qenë nën presionin e ashpër për të frenuar kërkesën dhe për të ulur importet në mënyrë që të promovojnë përshtatjen”, bën të ditur Thesari.

“Rezultati neto ka qenë një deflacion i njëanshëm për zonën e euros, ashtu si dhe për ekonominë botërore”.

Gjermania përbën ekonominë më të madhe të eurozonës dhe ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të rritjes së saj gjatë viteve të fundit. Rëndësia e saj përpara bllokut prej 17 anëtarësh ka njohur vetëm rritje, që prej zhvillimeve të krizës së borxhit të rajonit, që pati impakt edhe në ekonomitë e tjera të mëdha si Italia apo Spanja.

Gjermania ka qenë një nga performueset më të forta ekonomike të Europës dhe niveli i eksporteve të saj shihet si një nga forcat kryesore të kësaj ekonomie.

Vendi shmangu recesionin me një përqindje të ngushtë në fillim të këtij viti, por Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të 2013-s u nxit nga kërkesat si të konsumatorëve edhe të bizneseve.

Analistët thonë se, ndërkohë që Gjermania mund të përfitojë nga rritja e kërkesës së brendshme, kritikat e bëra ndaj politikave të saj janë të padrejta.

“Mendoj se kjo është diçka e çuditshme”, tha për BBC Tony Nash, zëvendës/president i IHS. “Eurozona duhet të pësojë rritje nga diku dhe Gjermania është vendi më i preferuar që kjo gjë të ndodhë”. “Është më mirë për eurozonën, që të ketë një superfuqi eksportuese më se të përqendruar, efiçente dhe të kualifikuar në Gjermani, se sa të mos ketë një motorr kryesor rritjeje”, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA