Serenatistët e rinj të Korçës

31/10/2013 00:00

Disa të rinj me në krye Vasillaq Niçon morën nismën për të krijuar grupin e serenatistëve të qytetit të Korçës.

“Është një aktivitet me 100 kitara me rastin e 100 vjetorit. Fëmijët dëshironin të trashëgonin kulturën e të parëve të tyre dhe vendosën të krijojnë grupin ëndërr serenate”, deklaroi shprehet Niço.

Janë rreth 60 të rinj korçarë që i janë bashkuar grupit të vullnetarëve që përpiqen të jenë të pranishëm në çdo provë e të mos mungojnë në asnjë organizim që bëjnë në qytet. Kështu tregon Marinela Pando dhe Mikel Bica.

“Më pëlqen serenata dhe tradita korçare duhet ruajtur nëpërmjet ne të rinjve”, thotë Marinela, ndërsa për Mikelin, “serenata është gjithçka, gjen gjithçka nëpërmjet saj, gjendet paraja, ndërsa dashuria është jeta vetë”.

“Është traditë që meshkujt iu këndojnë femrave, kjo traditë po vjen paksa në zbehje. Pëlqehet zakonisht, por ka raste kur familjaret e gocave na përzënë”. Kështu tregon Mario Niço, një nga serenatistët veteranë të këtij grupi që janë gjithmonë të parët për të qenë pjesë e jetës së qytetit.

“Po ta shikosh qytetin është në forme zemre, si telat e kitarës që çajnë këtë zemër”, shprehet ai.

Emanuela Baka është një nga të zonjushat që na tregon për serenatën e parë të një djaloshi për të.
Madje kjo serenatë ka qenë një nga arsyet kryesore që vendosi të bëhej pjesë e të rinjve serenatistë.

Nuk di t’i bjerë kitarës, por di të këndojë mirë shumicën e serenatave korçare, të cilat ua sjell gjithmonë në vëmendje një nga serenatistët më të vjetër, profesor Vaska.

“Unë jam serenatist, nuk jetoj dot pa të, une rri më shumë me kitaren se sa me gruan”, tregon ai.

Vaska thotë se mbi të gjitha ky aktivitet është një mënyrë e mirë për t’i tërhequr të rinjtë nga veset e këqia.

Kanë kaluar disa orë që kur është errësuar, por djemtë nuk kanë gjumë. Ato vazhdojnë t’iu këndojnë bukurosheve që nuk kanë ndërmend të largohen nga parmakët e dritareve…

Ilia: Kam tre dashuri, gruan, fëmijët dhe serenatën

“Unë linda në qytetin e serenatave e bashkë me serenatat linda dhe unë. Gjeta një kitarë të vjetër dhe mësova në mënyre autodidakte, e fillova të bëj ato kompozimet e para”.

Ilia Vinjau është gjeologu korcar që ka dalë në pension, por që kurrë nuk do të heqë dorë nga dashuria për fëmijët, gruan dhe serenatën.

“Kam kitarë në shtëpi dhe shpeshherë këndojmë bashkë me gruan. E dashuroj marrëzisht dhe ndoshta ajo ka rënë në dashuri me mua prej serenatës”, thotë Ilia.

Që në fëmijëri dëgjonte me endje e lodronte me serenatat e më të rriturve teksa iu këndonin vajzave të qytetit poshtë dritareve të shtëpive të tyre. Rreth të 20-ave edhe ai vetë u bë pjesë e atyre djemve që thurnin vargje për dashuritë e tyre më të mëdha.

Kanë qenë vite të paharrueshme kur qyteti gjallonte nga serenatat. Për çdo mbrëmje, zëri i tyre kumbonte nëpër sokake nën ritmin e telave të kitarës për të zgjuar nga gjumi të gjithë fqinjët kureshtarë që fshiheshin pas perdes së dritares.

E, duke kujtuar rininë, shokët, shoqet e rrugët me kalldrëm mendja i ka mbetur tek mbrëmja e një të diele kur ishin të gjithë së bashku me të ndjerin Sotiraq Mitre.

“E diel mbrëma, ktheheshim nga kodra, njëri ndalon, qëndruam anës rrugës që të mos shiheshim nga dritarja. U hap drita, perdja, ishte një femër dhe i thotë kur mbaron këngën: “Aman o Taqkë, mos ik, por këndo edhe një herë”.

Ka kompozuar disa këngë e madje ka realizuar edhe një CD, megjithatë serenata nuk është tipar i ri i familjes së tij, përkundrazi është një traditë e trashëguar në breza që ka burim frymëzimi ndjenjën!  

Fatbadha: Ende mbaj mend emocionet e këngëve të para që më dedikuan

Për të janë thurur vargje. Për të janë kënduar serenata. Për të djemtë prisnin me padurim muzgun që të endnin poshtë shtëpisë së saj.

Fatbardha Hoxha është zonja që edhe sot, kur i ka mbushur të 60-at nuk e ka humbur freskinë dhe sjelljet e saj lozonjare.

I kanë kënduar dhe këndon serenata e madje është një nga këngëtaret më të vjetra në skenën shqiptare, që me nostalgji sjell ndërmend ditën kur i kanë kënduar për herë të parë.

“Kam qenë 16 vjeçe kur më është kënduar serenata e parë. Ishin grup djemsh, kishin kitara druri dhe shkonin atje ku kishin të dashurat e tyre”, kujton Fatbardha.

Pjesa më e madhe e familjeve korçare ishin dashamirës ndaj serenatistëve, megjithatë situata ishte pak më e komplikuar kur i këndonin zonjushës së shtëpisë së tyre.

“Mamasë në fakt nuk i vinte mirë e madje vinte thoshte. “E me çupe…erdhën prapë këta”, e unë i thoja: “Po lëri me mama të këndojnë, edhe nëse është ashtu si thua ti edhe unë e re jam”.

Lëvizte pak perdja, hapej dritarja e më djali e vajza humbnin nën ritmin e serenatës e gëzoheshin faktit që këtë herë e përzgjedhura ishte ajo…nuk kishte më rëndësi nëse babai e nëna mund t’i bërtisnin. Shijonin momentin deri në notën e fundit të kitarës.

“Hapnim dritaret dhe i dëgjonim. Mezi prisnim mbrëmjen”, rikthehet në kujtimet e saj të bukura zonja Hoxha.

Top Channel