Reforma shëndetësore e Obamës

31/10/2013 01:40

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka pranuar “përgjegjësinë e plotë” për të siguruar zgjidhjen e problemeve me faqen e internetit të reformës së tij mbi kujdesin shëndetësor.

Duke folur në Boston, ai tha se nuk mund të ishte “i lumtur” në lidhje me projektin e ngarkuar me anomali, por doli fuqishëm në mbrojtje të zgjerimit të ligjit të 2010-s për kujdesin shëndetësor.

Më herët, sekretari i tij për shëndetësinë, tejet i sulmuar, kërkoi falje ndaj popullit amerikan për dështimin e realizimit të veprimtarive në faqen e internetit.

Akti për Mbrojtjen e Pacientit dhe Kujdesit të Përballueshëm është një nga përmirësimet më të mëdha të sistemit amerikan të kujdesit shëndetësor, që prej viteve 1960.

I njohur ndryshe si “Obamacare”, ai synon të rrisë mbulimin e sigurimeve shëndetësore në rreth 15% të popullsisë amerikane, të cilët nuk kishin akses në të.

Por, një element kyç i ligjit, faqja federale e internetit, ku konsumatorët mund të blejnë planet e sigurimeve shëndetësore, është goditur nga gabime të shumta, që prej startimit të saj më 1 tetor.

Obama tha gjatë fjalimit të së mërkurës se “nuk ka vend për ta mohuar, për momentin uebsajti është shumë i ngadalshëm. Shumë njerëz kanë hasur vështirësi dhe unë nuk jam i lumtur për këtë. Ashtu sikurse nuk janë edhe shumë amerikanë, të cilët kanë nevojë për kujdes shëndetësor”.

Më tej ai shtoi: “Ndaj dhe nuk mund të ketë justifikime. Do të marr përgjegjësi të plotë për t’u siguruar se ky problem do të riparohet sa më shpejt të jetë i mundur. Jemi duke punuar gjatë kësaj kohe, për ta përmirësuar atë ditë pas dite”.

Ai foli në Boston të Massachusetts, një shet që në 2006-n paraqiti një ligj themelor mbi kujdesin shëndetësor, i cili inspiroi administratën Obama ta përhapte atë në mbarë vendin. “Massachusetts ka treguar se ky model funksionon”, tha ai.

Obama shpalosi edhe përfitimet e tjera nga ky ligj, përfshi subvencionet qeveritare për primet e politikës shëndetësore dhe dhënien fund të diskriminimit të sigurimeve ndaj atyre me parakushte ekzistuese apo probleme të shëndetit mendor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA