Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) ka piratuar lidhjet hyrëse në qendrat e të dhënave të Yahoo dhe Google, bëhet e ditur nga dokumentet e rrjedhura prej Edward Snowden.
Miliona të dhëna janë mbledhur në mënyrë të përditshme nga rrjetet e brendshme të gjigantëve të internetit, bëjnë të ditura dokumentet e publikuara nga “Washington Post”.
Drejtori i agjencisë tha se NSA nuk kishte akses në kompjuterat e kompanive të sipërpërmendura.
Keith Alexander tha për “Bloomberg TV” se “ne nuk jemi të autorizuar të futemi në serverat e kompanive amerikane dhe të marrim të dhëna prej tyre”. Por, korrespondentët thonë se kjo nuk përbën një mohim direkt të akuzave më të fundit.
Dokumentet, e cituara si pjesë e rrjedhjeve të Snowden, sugjerojnë se NSA ka përgjuar të dhënat në disa pika, duke i marrë ato përmes kabllove të fibrave optike apo pajisjeve të tjera të rrjeteve që lidhnin qendrat e të dhënave të kompanive, në vend që të shënjestronte vetë serverat e tyre.
Të dhënat e zotëruara nga agjencia, mes tyre disa “metadata”, tekste, audio dhe video, janë analizuar më pas nga një program i NSA-së i quajtur “Muscular”, i cili operon në bashkëpunim me homologët britanikë të NSA-së, GCHQ, bëhet e ditur në dokumente.
Gjithsesi, NSA-ja ka tashmë edhe akses të drejtpërdrejtë në llogaritë e përdoruesve të Google dhe Yahoo, përmes një programi të aprovuar nga gjykatat, i njohur si “Prism”. Zbulimet e fundit dalin nga dokumentet e rrjedhura prej ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, tashmë një azilant që jeton në Rusi dhe që kërkohet nga SHBA-të me akuzën e zbulimit të paautorizuar të dokumenteve sekrete.
Zbulimet e fundit vijnë vetëm pak orë pasi një delegacion i inteligjencës gjermane mbërriti në Washington për bisedime në Shtëpinë e Bardhë, pas akuzave se SHBA-të kanë monitoruar telefonin celular të Kancelares Angela Merkel.
Top Channel