New York, konsumi i duhanit mbi 21 vjeç

31/10/2013 03:35

Këshilli i qytetit të New York ka votuar pro rritjes së moshës minimale, për ata që do të lejohen të blejnë paketa cigaresh, nga 18 vjeç në 21 vjeç.

New York-u do të bëhet tashmë një nga vendet më të populluara të Shteteve të Bashkuara, që ka vendosur një limit kaq të lartë moshor, raporton “Associated Press”. Limiti i ri moshor përfshin edhe blerjen e cigareve elektronike.

Në pjesën më të madhe të SHBA-ve ekziston një minimum moshor për duhanpirjen në 18 vjeç, por disa shtete e kanë rritur limitin në 19 vjeç, ndërkohë që të paktën 2 qytete të tjera e kanë çuar në 21 vjeç.

Sponsorizuesi i ligjit, këshilltari i qytetit, James Gennaro, tha se ky veprim “do të shpëtojë shumë e shumë jetë, në kuptimin e plotë të fjalës”.

Gennaro, prindërit e të cilit kanë ndërruar jetë prej sëmundjeve të lidhura me duhanin, tha: “Kam jetuar me duhanin, e kam parë… por tashmë ndihem shumë mirë”.

Kritikët e këtij projektligji kanë argumentuar se të rinjtë mund t’u drejtohen tregjeve të zeza për të blerë cigare.

Kryebashkiaku i New York, Michael Bloomberg, i cili doli në mbështetje të projektligjit, ka 30 ditë në dispozicion për ta nënshkruar atë e për ta kthyer në ligj. Masa në fjalë do të hyjë në fuqi 180 ditë pas nënshkrimit.

“E dimë se varësia ndaj duhanit mund të nisë shumë shpejt, pasi një i ri mund të përpiqet ta provojë për herë të parë, kështu që është tepër e rëndësishme që ne t’i ndalim të rinjtë të provojnë duhanin, përpara se të nisin ta tymosin atë”, tha Bloomberg, në një deklaratë.

Një plan i Bloomberg për t’i hequr dyqanet e shitjes së cigareve nga sytë e publikut u braktis në fillim të këtij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA