Më shumë liri ekonomike, më shumë konkurrueshmëri

31/10/2013 00:00

Anastas Angjeli – Kriteri ekonomik përbën një prioritet të rëndësishëm
në plotësimin e standardeve të zhvillimit ekonomik të vendit, jo vetëm
në pozicionin e statusit të vendit kandidat në BE, por edhe për stadin
që pason, atë të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Kësisoj mbajtja nën kontroll e stabilitetit makroekonomik, vazhdimi i konsolidimit fiskal (kontrolli mbi deficitin buxhetor dhe borxhin publik), vazhdimi i reformave strukturore me riprioritizim të ekonomisë, mbështetja me politika të reja ekonomike e fiskale që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të shoqëruar me punësim, mbeten faktorë kyçë në zbatim të këtij prioriteti. Njëherësh, po kaq të rëndësishme mbeten edhe vazhdimi i reformave rregullatore që garantojnë më shumë liri ekonomike, duke zgjeruar hapësirat për zhvillimin e biznesit vendas dhe të huaj dhe përmirësimi i mëtejshëm i shtyllave kryesore që e bëjnë ekonominë tonë më konkurruese.

RËNIA E KONKURRUESHMËRISË SË EKONOMISË FRENON ZHVILLIMIN DHE INTEGRIMIN

Krahas një ekonomie në rënie të shpejtë e të madhe (rritja ekonomike në fund të vitit parashikohet të jetë rreth 1.2%) dhe financave të tronditura në themel, qeveria “Rama” trashëgoi edhe një rënie të nivelit të konkurrueshmërisë së ekonomisë. Vendi ynë për vitin 2013-2014 u rendit në vendin e 95-të nga 148 vende me një rënie prej 6 vendesh në renditjen e përgjithshme në krahasim me vitin e kaluar. Pothuaj në shumicën e treguesve ka një përkeqësim në renditje dhe koeficient, duke pasur rënien më të madhe në shumë nga shtyllat që garantojnë këtë konkurrueshmëri si: Shtylla 1, institucionet – 34; sofistikimi i tregut të mallrave – 39; sofistikimi i biznesit – 24 pozicione; madhësia e tregut – 9 pozicione; sofistikimi i tregut financiar – 8 pozicione; gatishmëria teknologjike – 15 pozicione.

Në renditjen rajonale, vendin e parë në renditje e zë Mali i Zi. Shqipëria është gati në një nivel renditjeje me Bosnjë-Hercegovinën dhe lë pas Serbinë me 6 vende. Pas disa viteve progresi të qëndrueshëm, Shqipëria vetëm në periudhën e fundit 2-vjeçare 2012-2013 ka paraqitur rënie në renditje, e cila mund të jetë në një masë të caktuar edhe nga ndikimi i faktorëve të jashtëm (kriza ekonomike globale dhe veçanërisht në eurozonë, shpejtësia dhe cilësia e reformave në vendet e tjera).

 

SHQIPËRIA, DOING BUSSINES 2014

Me rënie të theksuar në krijimin e klimës së zhvillimit të biznesit dhe zgjerimit të lirive ekonomike rezulton vendi ynë edhe këtë vit. Një nga institucionet profesionale më prestigjioze në matjen e indikatorëve të të bërit biznes (për politikat lehtësuese apo penguese të të bërit biznes, për çështjet ligjore dhe institucionale të veprimtarisë së tyre) Banka Botërore, në raportin e saj të përvitshëm, të publikuar dy ditë më parë, konstaton se në renditjen e përgjithshme të të bërit biznes (Doing bussines 2014) Shqipëria renditet në vendin e 90. Vitin e kaluar vendi ynë renditej në vendin e 82, pra kemi një rënie të përgjithshme prej 8 vendesh. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit Shqipëria ka lënë pas vetëm Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. FYROM gjendet në vendin e 25, Mali i Zi në vendin e 44, Greqia në të 72, Kroacia në vendin e 89, Kosova në vendin e 86.

Nga 10 kategoritë që vlerëson “Doing Bussines”, Shqipëria ka rënie në 6 prej tyre. Më konkretisht në kategorinë “Fillimi i një biznesi” ka humbur 8 vende, duke u renditur në vendin e 76 nga vendi 68 i një viti më parë, në “Lidhja e energjisë elektrike” ka humbur 3 vende, duke u renditur e 158 nga 155 e një viti më parë, në “Regjistrimin e pasurisë” ka humbur 4 vende duke u renditur në vendin e 119 nga 115 i një viti më parë, në “Marrjen e kredisë” ka humbur 2 vende dhe nga vendi 11 ka rënë në atë të 13, në “Tregtinë ndërkufitare” ka humbur 1 vend dhe është renditur e 84. Në “Zbatimin e kontratave” Shqipëria ka rënien më të madhe prej 28 vendesh dhe është renditur e 124 nga vendi i 96 i një viti më parë. E vetmja kategori ku vendi ynë ka parë përmirësim është kategoria e “Zgjidhjes së paaftësisë paguese” (Resolving insolvency) ku kemi një ngritje prej 3 vendesh dhe renditemi në vendin e 62. Në kategoritë “Mbrojtja e investitorëve”, “Pagimi i taksave” Shqipëria renditet në të njëjtat pozicione të vitit të kaluar, respektivisht në vendet 14 dhe 146.

Natyrisht, të dy vlerësimet e bëra, u takojnë periudhave deri në qershor të vitit 2013. Por ato nuk janë të lidhura thjesht dhe vetëm me kryerjen deri në këtë periudhë të disa reformave të caktuara, apo jo (apo me disa politika të munguara), por edhe me faktorë të shpejtësisë dhe cilësisë së këtyre reformave në vendin tonë, por edhe në vendet bashkëklasifikuese, prandaj…

 

KONKLUZION

Ajo që ishte parashikuar nga PS para zgjedhjeve të 23 qershorit dhe po deklarohet nga qeveria “Rama” në ditët e para të qeverisjes së saj, po vërtetohet. Me të njëjtën “gjuhë faktesh dhe argumentesh”, skaneri i bërë nga institucionet ndërkombëtare që merren me monitorimin e lirisë ekonomike, të të bërit biznes dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë po dëshmojnë se dy-tre vitet e fundit të qeverisjes së mëparshme kanë frenuar elementë të rëndësishëm të reformave rregullatore dhe të rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë, me pasoja dhe ndikim në zhvillimin dhe hapat e integrimit të ekonomisë. Këtu çështja nuk është te “kush është fajtori”? Më tepër është këndvështrimi i interpretimit të këtyre vlerësimeve, të kuptimit se çfarë përfaqësojnë dhe reflektojnë këta indikatorë dhe cilat janë masat dhe paketa e reformat që duhet të kryhen për përmirësimin e situatës. Është kjo arsyeja që në programin e qeverisë “Rama”, thellimi i reformave rregullatore dhe institucionale (riorganizimi dhe bërja më eficente e shumë institucioneve të tregut), për sofistikimin e tregut në përgjithësi, atij të mallrave e të punës, atij financiar etj., janë prioritet. Nga ana tjetër, në kuadër të rritjes së konkurrueshmërisë, lehtësimi i procedurave të të bërit biznes, rritja e kreditimit të ekonomisë, zhvillimi me prioritet i sektorit të energjisë dhe vënia me lehtësi në dispozicion të biznesit, furnizimi me energji, përmirësimet në çështjet e pronësisë, të regjistrimit të pasurisë, krijimin e një kulture tjetër për zbatimin e kontratave, janë në krye të radhës për t’u përmirësuar, edhe si një mbështetje e plotë për plotësimin e shtyllave të rritjes së konkurrueshmërisë ekonomike të vendit. Njëherësh, kësaj do t’i shërbejë dhe angazhimi i filluar për finalizimin e strategjisë rajonale SEE 2020, e cila është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i objektivave dhe qëllimeve të strategjisë së Bashkimit Europian 2020, me një fokus të konsiderueshëm në rritjen e konkurrueshmërisë, si një element i rëndësishëm i kriterit ekonomik të BE-së.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA