Serie A, Lazio e Canës ndal Milanin

30/10/2013 23:45

Nuk i ka mjaftuar një super gol i Ricardo Kakà kuqezinjve të Milanit, për t’u rikthyer te fitorja në kampionatin italian.

Në “San Siro”, kundër Lacios së Lorik Canës, “djalli” ka marrë vetëm një barazim 1-1, që shërben shumë pak për klasifikimin dhe objektivat realë të këtij klubi.

Milan kalon në avantazh vetëm 9 minuta pas rifillimit të lojës, pas një gjuajtjeje spektakolare të brazilianit Kakà, i cili gjen këndin e majtë të portës së Lacios, aty ku kryqëzohet shtylla me traversën.  Por, Lacio barazon në të 72-tën, pas një goditjeje me kokë nga Ciani, i cili përfitoi nga asist i Candreva-s.

Në fund, një rast i mirë për të shënuar për Miroslav Klose. Një moment i vështirë ky në shtëpinë e Milanit, teksa në fund të ndeshjes ka shpërthyer edhe irritimi i tifozëve.

Vërshëllima dhe kontestime për shoqërinë dhe skuadrën, por mbi të gjithë për Massimiliano Allegri-n, teknikun që të gjithë në tribuna e duan tashmë larg Milanit. Drejtuesit e klubit kanë hyrë në dhomat e zhveshjes së bashku me trajnerin dhe skuadrën, për të bërë ndoshta disa sqarime mbi situatën.

Napoli jep një provë maturiteti, duke ndëshkuar Fiorentinën në shtëpinë e kësaj të fundit, 2-1, aty ku Juventus pësoi një humbje të bujshme vetëm 2 javë më parë, dhe vazhdojnë ndjekjen e Romës duke ruajtur vendin e dytë në klasifikim.

Higuain, nga një shënues në ndeshjen e kaluar, kthehet në njeriun “asistues”, duke dhënë pasimet e arta për të dy golat e Napolit, njëri nga Callejon dhe tjetri nga Mertens.

Fiorentina barazoi përkohësisht në pjesën e parë, me një penallti të realizuar nga Giuseppe Rossi, ndërsa në fund, takimi “skuqet” me dy kartonë, Maggio për Napolin dhe Cuadrado për Fioren.

Ka fituar bindshëm edhe Juventus, që i shënon një “poker” Catania-s, me autorë Vidal, Pirlo, Tevez dhe Bonucci. Edhe bardhezinjtë vazhdojnë ndjekjen e Romës, teksa aktualisht gjenden në -2 pikë nga kreu, por me një ndeshje më shumë të luajtur.

Nga dy gola në secilën pjesë për juventinët, ku vlen të theksohet ai i Pirlos, i shënuar nga goditja e dënimit.

Në ndeshjet e tjera, Cagliari-Bologna 0-3, Genoa-Parma 1-0, Livorno-Torino 3-3, Sassuolo-Udinese 1-2 dhe Verona-Sampdoria 2-0.

Top Channel