Kush është “Crown Agents”

30/10/2013 00:00

“Crown Agents” është një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e konsulencës ekonomike dhe atë financiare. Aktualisht ajo punon në 100 vende të botës, ku këshillon qeveritë por edhe organizatat më të njohura ndërkombëtare në praktikat e mirëqeverisjes dhe ndërtimit të kapaciteteve institucionale.

Pak ditë më parë qeveria vendosi t’i japë kompanisë shërbimin për të asistuar doganat shqiptare. Një vendim që ka nxehur jo pak debatin politik.

Një ditë më parë deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha sulmoi publikisht qeverinë për vendimin, por edhe kompaninë, teksa përmes një postimi në faqen e tij në Facebook e përshkruante atë si një agjenci të futur në listën e zezë të Bankës Botërore.

Në fakt, kompania britanike ka qenë e përfshirë në listën e zezë të Bankës Botërore në vitin 2011 për një periudhë prej gjashtë muajsh. Çështja kishte të bënte me një projekt të vitit 2006, ku pas hetimeve rezultoi se “Crown Agents” kishte keqparaqitur vlerësimin për një nga konsulentët më të rëndësishëm të projektit.

Emri i projektit dhe ai i konsulentit nuk u zbuluan asnjëherë. Por në atë kohë Banka Botërore e vendosi kompaninë në listën e zezë, duke e ndaluar atë që për një afat gjashtëmujor të merrte pjesë në tenderat e saj.

Ky dënim ka përfunduar dhe “Crown Agents” i është rikthyer biznesit me Bankën Botërore dhe jo vetëm këtë institucion. Sot kompania këshillon qeveritë e vendeve më të fuqishme të botës.

Mes klientëve të saj është aktualisht edhe qeveria amerikane, përkatësisht Departamenti i Shtetit, ai i Mbrojtjes, i Tregtisë, por edhe USAID dhe Koorporata e Mijëvjeçarit. Paralelisht kompania këshillon Bashkimin Europian dhe shumë organizma të tjerë ndërkombëtarë të njohur.

Top Channel