Botimet e UET për drejtësinë

30/10/2013 00:00

Një kolanë në fushën e drejtësisë është promovuar të martën në mbrëmje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës.

Libri më i ri i botuar në këtë fushë është e drejta penale me autor Xhonatan Herring, një botim ky i “Oxford University Press”, parathënia e së cilës është shkruar nga avokati Spartak Ngjela.

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës, Ksenofon Krisafi dhe avokat Spartak Ngjela kanë prezantuar librin dhe kolanën me botime nga fusha e drejtësisë gjatë një ceremonie ku morën pjesë të ftuar nga bota akademike dhe njerëz nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

“Njerëzit ndoshta dijnë pak për botimet juridike në Shqipëri por është një fakt që pas formimit të shtetit të parë shqiptar, duke vazhduar me periudhën e pas Luftës së Parë Botërore një plejadë e tërë juristësh të formuar në shkollat më të mira perëndimore, të kthyer në Shqipëri, gjykuan që kishte ardhur koha të pajisnin juristët shqiptarë edhe me dije të karakterit teorik. Kjo është një traditë e shëndoshë, e mrekullueshme e botimeve të cilën ne si Fakultet Juridik dhe si Universitet Europian dëshirojmë ta rikthejmë, ta rifreskojmë dhe ta vëmë në dispozicion të juristëve në Shqipëri”, thotë Ksenofon Krisafi.

Avokat Ngjela u shpreh se botimet juridike në Shqipëri duhet të jenë sipas standardit perëndimor, ndërsa dekani i Fakultetit Juridik, Ksenofon Krisafi tha se kolana do të ndihmojë për të cuar përpara shkencën juridike në Shqipëri.

“Ka një vështrim të ri të teorisë së të drejtës penale, një teorizim modern për krimin dhe fajësinë, por në të njëjtën kohë ajo që sjell me të vërtetë një fenomen të ri, është se teksti nuk është vetëm për akuzën, por është edhe për mbrojtjen. Është teksti i së drejtës penale për mbrojtjen, dmth për pafajësinë dhe fajësinë. E gjithë kjo mendoj se do t’i japë një shtytje botëkuptimit akademik të së drejtës penale në Shqipëri”, deklaroi avokati Spartak Ngjela.

Ky promovim është një përmbledhje e një pune 6-vjeçare në një kulturë dhe mentaliteti të ri që UET ka tentuar të fusë në lidhje me tekstet universitare në vend. Promovimi i pesë librave të botuar dhe shpallja e planit për botimin e 15 të tjerëve është një hap i rëndësishëm që do të cojë përpara shkencën juridike për përgatitjen për profesionin e juristit në Shqipëri. 

Top Channel