Armët kimike të Sirisë mund të shkatërrohen në Shqipëri. Një dokument i brendshëm i Kombeve të Bashkuara, publikuar nga rrjeti norvegjez NRK, tregon se “Shqipëria renditet mes 8 vendeve si destinacione të mundshme për arsenalin kimik sirian”. Mes këtyre vendeve është vetë Norvegjia, Belgjika dhe 5 anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, SHBA, Rusi, Kina, Franca dhe Britania e Madhe.
Menjëherë ka reaguar Aleanca Kundër Importit të Plehrave, grupi që loboi suksesshëm kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. Sipas AKIP, transferimi i armëve kimike të regjimit të Bashar Al Assad është kundër ligjeve dhe interesave të vendit. Ambientalistët shqiptarë paralajmërojnë për rrezikun e armëve kimike siriane duke i bërë thirrje qeverisë të refuzojë kërkesën e OKB-së për transferimin e një pjesë të arsenalit të armëve kimike të Sirisë për t’u shkatërruar në Shqipëri.
Por, për “Pasdite në Top Channel”, burimet nga qeveria e Shqipërisë kanë bërë të ditur se në lidhje me këtë çështje nuk ka ende një vendim pasi një kërkesë e tillë ende nuk ka mbërritur në zyrat e institucioneve tona.
E para që reagoi për memon ishte Ministria e Jashtme e Norvegjisë, e cila kundërshtoi idenë e shkatërrimit të armëve kimike në këtë vend. Sipas ekspertëve, Norvegjia ishte zgjedhur si një vend me stabilitet politik si dhe burime të shumta ujore, çka do të bënin tretjen e mbetjeve kimike. Argumentet e vendit skandinav ishin se nuk kanë eksperiencë dhe kushtet teknike për të bërë të mundur një gjë të tillë.
Bazuar në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në shtator, arsenali i armëve kimike të presidentit Assad duhet të transferohet jashtë Sirisë brenda janarit 2014 dhe të shkatërrohen përpara qershorit të po këtij viti. Pas një presioni të fortë ndërkombëtar, Damasku ra dakord të heqë dorë nga armët e tij kimike, një arsenal i cili nuk njihet ende me saktësi.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për më shumë se 1 mijë ton armë të tilla.
Cfarë janë armët kimike?
Armët kimike janë një nga elementët më të rrezikshëm ushtarakë. Janë të pakta vendet në Botë që zotërojnë sot këtë lloj arsenali ushtarak pasi në bazë të konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare ky armatim po shkatërrohet.
Prof. Dr. Ilo Mele tregon se si ndërtohen armët kimike: “Varet nga destinacioni që kanë. Nëse kërkohet kontaminimi i zonës së kundërshtarit, bëhet spërkatja. Nëse duam të bëjmë goditje, përdoren raketat.”
Përdorimi i armëve kimike dhe rezikshmëria e tyre doli sërish në skenë gjatë konfliktit në Siri. Pedaogu i kimisë fizike tregon se si mund të shkatërrohen armët kimike. Procesi është i ndërlikuar dhe kërkon shkatërrimin e municioneve dhe djegien e kimikateve në mënyrë që të mos jenë më toksike.
“Në varësi nga lloji i armës, përcaktohet shkatërrimi i tyre. Disa shkatërrohen me neutralizim nëpërmjet reaksioneve kimike, ndërsa të tjera nëpërmjet djegies dhe kthimit në produkte të padëmshme”, shprehet profesor Mele.
Por, çfarë armësh kimike ka në zotërim regjimi i Bashar Al Assad? Janë të pakta informaconet që dihen rreth armëve kimike të regjimit sirian. Por, ajo që është e konfirmuar ëshrtë prania e sarinit. Sarini është një agjent nervor, zhvilluar së pari nga studiuesit gjermanë në fund të 1930. Deri në 500 herë më toksike se cianidi, ai është një lëng pa ngjyrë dhe pa erë që shkakton paralizim të muskujve, humbje përqëndrimi dhe asfiksi të cilat mund të vrasin brenda një minute.
Sarini mund të përdoret si lëng, por ai mund të ngarkohet edhe në raketa apo mortaja. Gjithashtu, një formë sulmi është përmes bombulave me gaz. Një tjetër armë e shkatërrimit në masë e cila besohet se gjendet në duart e ushtrisë siriane është gazi mustard. Ky lloj helmi pasojat i shfaq në lëkurë dhe në rrugët e frymëmarrjes duke sjellë edhe vdekjen.
Top Channel