Putin: Mirëpresim LGTB-të në Sochi

29/10/2013 04:20

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha gjatë së hënës se kushdo është i mirëpritur në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit të ardhshëm në Rusi, pavarësisht orientimit seksual, komente këto që vijnë për shkak të një ligji kontrovers rus kundër homoseksualitetit.

Putin dha garancitë e fundit të tij në lidhje me këtë çështje, teksa mirëpriti presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, si dhe zyrtarë të tjerë të sporteve, në rezidencën e tij verore në Sochi, qyteti rezort pranë Detit të Zi, ku do të zhvillohen Lojërat e muajit shkurt të vitit të ardhshëm, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve “RIA Novosti”.

“Ne po bëjmë gjithçka, si organizatorët, atletët tanë, por edhe fansat, në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit dhe të ftuarit të ndihen të rehatuar në Sochi, pavarësisht kombësisë, racës, apo orientimit seksual”, është cituar të ketë thënë Putin nga “RIA Novosti”.

Putin, gjatë qershorit, nënshkroi një ligj që ndalon në Rusi shpërndarjen e informacioneve ndaj të miturve, të cilat promovojnë marrëdhëniet e të njëjtit seks. Legjislacioni i jep fuqinë autoriteteve për të vendosur gjoba, ashtu si dhe për të burgosur shkelësit e ligjit, ndërkohë që për të huajt që nuk e respektojnë atë mund të shkohet deri në deportim.

Ligji i nënshkruar nxiti irritim global dhe një valë protestash, që kërkonin bojkotimin e Lojërave. Në shtator, këngëtarja e POP-it Cher tha se kishte refuzuar një ftesë për të performuar në Rusi, pikërisht për shkak të ligjit.

Putin tha gjithashtu, këtë herë në një intervistë për televizionin shtetëror, se gay-t nuk do të diskriminoheshin gjatë Lojërave të Sochi-t. Por, kjo gjë u vu në dyshim, pas deklaratave të zyrtarëve të qeverisë, se ligji për propagandën anti-gay duhet përforcuar ende.

IOC, gjatë muajit gusht, tha se kishte marrë siguri “nga nivelet më të larta të qeverisë ruse”, se ligji nuk do të prekte njerëzit që janë pjesëmarrës, apo që do të ndjekin Lojërat Dimërore. Muajin pasardhës, IOC shtoi se ligji nuk shkel Kartën Olimpike.

Në gusht, edhe presidenti amerikan Barack Obama refuzoi thirrjet për vendin e tij që të bojkotonte Lojërat Olimpike, duke thënë se një lëvizje e tillë do të dëmtonte atletët amerikanë, të cilët janë stërvitur dhe kanë sakrifikuar për t’u kualifikuar në këtë eveniment.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA