
Joseph Blatter, presidenti i FIFA-s, i dërgoi një letër Real Madridit ku i kërkonte falje për deklaratat e tij në Universitetin e Oksfordit ku theksonte se preferonte Messin dhe ku u tall me Cristiano Ronaldon.
Klubi madrilen dhe Federata Portugeze e Futbollit i kishin dërguar më parë një letër FIFA-s ku ankoheshin për deklaratat e presidentit të organizmit më të madh të futbollit botëror.
“Më vjen keq që deklarata të tilla kanë shkaktuar pakënaqësi. Nuk ishte qëllimi im të tregoja mungesë respekti ndaj Realit, tifozëve madrilenë dhe lojtarit të tyre. Reali është një nga themeluesit e FIFA-s dhe një nga skuadrat e mia të preferuara”, shkruan Blatter në letrën e tij.
Sep Blatter kishte deklaruar në një takim me studentët se Cristiano Ronaldo “është si gjeneral në fushën e lojës. Shpenzon më shumë para’ tek parukieri sesa Messi. Nuk mund të them kush është më i mirë, por unë preferoj Messin.”
Vetë Cristiano Ronaldo shkroi në Facebook: “Kjo video tregon qartë se sa FIFA më respekton mua, vendin tim dhe klubin ku luaj. Shumë gjëra shpjegohen me këtë.”
Më tej, portugezi shtoi: “Uroj që Blatter të ketë një jetë të gjatë që të shijojë suksesin e skuadrave dhe lojtarëve të tij të preferuar.”
Top Channel