Neuer: Jam më rehat me taktikat e Guardiolës

29/10/2013 00:00

Manuel Neuer përshtatet më mirë me udhëzimet e trajnerit Pep Guardiola,
sesa me taktikat e parardhësit Jupp Heynckes. Këtë e ka thënë vetë
portieri gjerman.

“Nën drejtimin e Guardiolës ne po përpiqemi ta luajmë topin në mënyrë që ta kontrollojmë dhe jo duke bërë pasa të gjata përpara”, ka thënë Neuer për revistën “Bild”.

Guardiola e mori drejtimin pas largimit të Heynckes në fund të sezonit dhe zotërimi i topit gjatë 90 minutave lojë ka qenë gjithmonë prioritet i spanjollit, që ka fituar 14 trofe në katër vitet e drejtimit të Barcelonës.

“Ndodhte shpesh sezonin e kaluar që të luanim duke u ruajtur dhe të kërkonim për sulmuesin Mario Mandzukic me topa të lartë. Por tani po veprojmë ndryshe”, vijon Neuer.

“Lojtarët po e kërkojnë rolin tim më shumë se më parë dhe unë mund të marrë pjesë në nisjen e lojës. Për mua është më e lehtë pasi kështu jam më i përfshirë në lojë”, shton portieri.

Bayern ka arritur rezultate shumë pozitive në ndeshjet e para të sezonit nën drejtimin e Guardiolës dhe ekipi është i pamposhtuar në tre kompeticionet ku merr pjesë.

Bavarezët kryesojnë në Bundesligë me një pikë më shumë përpara Borussia Dortmund dhe Bayer Leverkusen, si dhe janë të parët në grupin e tyre të Champions League, me tre fitore në tre ndeshje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB