“MasterChef” në Top Channel

29/10/2013 00:00

Në vitin 2005, BBC vendosi të prodhojë një emision të fokusuar tek gatimi dhe protagonistë ishin njerëzit e thjeshtë. Ky program më vonë u quajt “MasterChef”.

Në versionin britanik ka dy anëtarë jurie të përhershëm dhe ky format u bë menjëherë një ndër më të preferuarit e publikut. Pjesëmarrësit më parë duhet të kalonin në disa prova përpara se të bëheshin pjesë e “MasterChef”-it. Prova që i vendosin garuesit nën presionin e kohës apo edhe pjata pasioni janë disa nga mënyrat për të evidentuar cilësitë e një shefi kuzhine.

Ndërkohë, javë pas jave vazhdojnë eleminimet e personazheve deri sa në fund është vetëm një fitues.

“MasterChef”-i është i përhapur në shumë vende të Botës. E si i tillë nuk mund të mungojë në Itali, aty ku pasioni për gatimin dhe cilësia e kuzhinës janë elementët më të njohur kombëtarë. Në këtë “talentshoë” në garë deri në pjatën e fundit janë joprofesionistë mbi 18 vjeç. Për të fituar, konkurentët duhet të tregojnë pasion, aftësi, kreativitet dhe këmbëngulje.

Për të gjykuar përgatitjen e tyre, “MasterChef” ka përzgjedhur një juri të nivelit më të lartë me tre shefa të njohur ndërkombëtarisht. Fituesi do të marrë në shtëpi 100 mijë euro monedha, botimi i një libri me receta personale dhe titullin e lakmuar e “MasterChef”.

Formati “MasterChef” është prodhuar në 18 vende të botës, me më shumë se 45 edicione në variante e përshtatje të ndryshme dhe mbi 700 episode transmetimi.

“Ky program televiziv është suksesi i radhës i Top Channel që arriti të marrë një patentë kaq të madhe. Ka shumë vende fqinje që nuk kanë arritur dot ta marrin këtë patentë. Në audicione jemi befasuar nga grupmoshat dhe profesionet që janë paraqitur”, u shpreh autori i “MasterChef” Rezart Aga në studion e “Pasdite në Top Channel”.

“Kemi bërë audicione në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Do të shkojmë në Korçë e pastaj në Kosovë. Në fund, do të rikthehemi në Tiranë me një audicion të fundit të madh. Në këtë spektakël do i vendosim konkurrentëve përbërësit përpara dhe ata mund të shfrenojnë fantazinë më pas. Ata që kanë pasion dhe talent do të jenë të suksesshëm”, shtoi Aga, i cili bëri të ditur se kanë nisur regjistrimet e emisioneve, ndërsa transmetimi do të nisë në muajin mars.

Top Channel