I ashtuquajturi “Cikli diplomatik”, një grup prej 23 ish-ambasadorësh greke, shumica e të cilëve kanë shërbyer në postet kyçe jashtë vendit, i ka dorezuar orët e fundit një letër kryeministrit grek, Andonis Samaras, duke iu referuar të gjitha çështjeve të politikës së jashtme dhe duke paralajmëruar se kriza financiare nuk duhet t’u heqë rolin prioritar çështjeve kombëtare të Greqisë.
Letra është nënshkruar midis të tjereva nga ish-ambasadori grek në Turqi dhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Joanis Korantis, Konstantinos Politis, ish-ambasador në Shqipëri dhe ish-ambasadorët në Beograd dhe Qipro.
Midis çështjeve kombëtare për Greqinë, si marrëdhëniet me Turqinë, Shkupin dhe çështjen qipriote, një vend të rëndësishëm në këtë letër zënë marrëdheniet me Shqiperinë.
Ish-ambasadorët kujtojnë se Shqipëria është një vend i krijuar nga Fuqitë e Mëdha në 1913 dhe deri tani nuk ka treguar një qëndrim miqësor ndaj Athinës, duke u bërë një shtet problematik për Greqine që nga formimi i tij.
“Pas zhvillimeve pozitive për Tiranën në çështjet e Kosovës dhe Shkupit, rivaliteti i Tiranës me Athinën rritet gjithmonë e më shumë”, thonë ata.
Sipas ish-diplomatëve grekë, “ndihma në anëtarësimin në NATO pa asnjë shkëmbim si dhe mbështetja për integrim në BE në të njëjtën mënyre, duke lënë të ngrirë çështjen vorioepiriote, ka rritur ambiciet e Shqipërisë dhe kjo duket në radhe të parë me udhëheqësit Berisha dhe Rama, udhëheqës tipikë-ballkanikë, të zhdërvjellët, që më shumë kanë korrur fitime të konsiderueshme politike, pa asnjë shkëmbim nga kontaktet me Athinën zyrtare”.
Për çëshjten çame, ish-ambasadorët, ndërsa rikujtojnë se “kjo popullsi myslimane duhej të ishte dëbuar në Turqi sipas marrëveshjes së Lozanës, theksojnë sa kanë bashkëpunuar me italianet dhe gjermanët në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas kanë shkuar në Shqiperi dhe se shumica e politikës shqiptare e konsideron këtë peridhë historike si çështje holokausti për shqiptarët”.
Këshilla përfundimtare që ish-diplomatët i japin kryeministrit grek është që Athina të korrigjojë gabimet e së kaluares dhe të jetë më e kujdesshme me synimin e Tiranës për integrimin në BE.
Interpelanca e Venizelos
“Interes për çështjen e Përmetit, zgjidhja për toponimet sipas pozicionimit tonë”
Ministria e Jashtme greke ka publikuar në faqen zyrtare të saj përgjigjen e disa interpelancave të deputetëve të Parlamentit grek, për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, pas ngjarjeve të Përmetit dhe çështjes së toponimeve.
Kreu i diplomacisë greke, Evangelos Venizelos, ka deklaruar se dikasteri që ai drejton ka shprehur interesin e drejtpërdrejtë, për çdo çështje që lidhet me minoritarët si dhe Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, një interes që është i padiskutueshëm dhe pasqyrohet nga reagimi i menjëhershëm i Athinës zyrtare, përmes vigjilencës së vazhdueshme të autoriteteve diplomatike dhe konsullore në vendin fqinj.
Sipas Venizelos, brenda kuadrit të plotë kontraktual, që angazhon Shqipërinë si në nivel bilateral, ashtu dhe në nivelin e BE-së, Greqia thekson në çdo rast se, respektimi i plotë i të drejtave të njeriut e të pakicave kombëtare dhe zbatimi i angazhimeve e detyrimeve të palës shqiptare, përbëjnë një barometër të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe një kriter për kursin europian të vendit.
Ndërsa për çështjen e toponimeve, deklarata e ministrit të Jashtëm grek sqaron se qëndrimi zyrtar i Greqisë është se nuk njeh si të vlefshme dokumentet e udhëtimit dhe dokumente të tjera të lëshuara nga autoritetet e huaja, nëse ato përmbajnë emra të pasakta të rajoneve greke.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke theksohet se, zgjedhja nga administrata e një shteti për të përdorur emrat e gjuhës së tij në identifikimin e zonave greke krijon konfuzion, i cili rezulton në vuajtje të panevojshme të palëve të interesuara.
Madje, kur është fjala për vendet fqinje, përdorimi gabim i emrave të toponimeve mund të japë shkak për nënkuptime “irredentiste”, ndërsa Greqia nga ana e saj demonstron praktikisht respekt për mënyrën e shkrimit të toponimeve të vendeve të treta në dokumentet publike që lëshon, duke favorizuar emrin zyrtar në shtetin pritës.
Venizelos ka shtuar se gjatë vizitës së tij në Tiranë, në mesin e muajit tetor, ka biseduar drejtpërdrejt me udhëheqjen shqiptare për këtë problem, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sipas pozicionimeve të Greqisë, zgjidhje që të jetë në gjendje ta zbatojë efektivisht pala shqiptare, në një të ardhme të afërt, për të eklipsuar gradualisht një problem, pasojat e të cilit vuajnë dhe shumë anëtarë të minoritetit grek të lindur në Greqi.
Top Channel