Stafi i ILDKP: Situata po degradon

28/10/2013 00:00

Vijon përplasja brenda ILDKP-së, mes stafit dhe shefes së tyre Zana Xhuka, një rast ky i papreçedent dhe që nuk po gjen zgjidhje përveç denoncimit që bëhet në media.

Një tjetër njoftim u dërgua këtë të hënë nga 34 punonjës të ILDKP-së, të cilët kërkojnë ndërhyrjen urgjente të Kuvendit pasi situata në këtë institucion po degradon.

Shkresa i drejtohet tashmë kryetarit të Kuvendit, zotit Ilir Meta, për dijeni kryetarëve të grupeve parlamentare dhe kryeyarit të çështjeve ligjore, Fatmir Xhafa.

Punonjësit thonë se pas kallëzimit të para pak ditëve, ata detyrohen të bëjnë një denoncim tjetër për shkeljet flagrante të kryera nga drejtuesja Zana Xhuka.

Sipas vartësve, shefja e tyre po rrëmben dosjet e kontrollit të punonjësve të inspektoraitit të lartë, duke krijuar një strukturë paralele ilegale për administrimin e deklaratave të interesave private. Më tej vijohet duke theksuar se:

ILDKP ndodhet në presion të vazhdueshem prej një jave nga persona të armatosur që hyjnë e dalin në institucion në kundërshtim me rregulloren e brendshme.

Nga ora 8 deri në orën 16, çdo ditë të gjithë qëndrojmë të mbledhur në një sallë për të shmangur incidentet që inspektorja e përgjithshme dhe persona të tjerë mund të inskenojnë.

Për sa më sipër kërkojmë ndërhyrjen tepër urgjente të Kuvendit, në cilësinë e organit epror, që të ndalojë veprimet arbitrare dhe të kundraligjshme të inspektores së përgjithshme, të cilat po sjellin pasoja degraduese e të pariparueshme për institucionin”.

Por, ndërsa ILDKP duket se është ndarë në këtë mënyrë në dy kampe në konflikt, të dyja palët të paktën do të jenë bashkë në një çështje, siç është bashkimi që u ka bërë Prokuroria e Tiranës të dyja kallëzimeve, edhe i 34 punonjësve ndaj zonjës Zana Xhuka, por edhe kallëzimi i Xhukës për dhunë nga njëri  prej vartësve. Ne, thanë burimet, do t’i verifikojmë të dyja këto qëndrime së bashku nga i njëjti grup hetimor.

Top Channel