Platini: Botërori me 40 kombëtare

28/10/2013 18:20

Pasi vendosi që të zhvillojë Europianin e vitit 2020 në 13 vende njëkohësisht, presidenti i UEFA-s, Michel Platini tashmë propozon që Botërori i futbollit të Rusisë 2018 të zhvillohet jo me 32, por me 40 kombëtare.

“Futbolli është duke ndryshuar. Kemi 209 federata anëtare, përse duhet të reduktohemi në 32? Kështu do të bëjmë të lumtur më shumë përfaqësuese dhe njerëz anembanë botës”, deklaroi Platini në një intervistë të publikuar ditën e hënë në të përditshmen “The Times”.

Nisma e Platinisë vjen pas një nisme të propozuar nga presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, për reduktimin e të kualifikuarve europianë, për të rritur pjesëmarrjen e kombëtareve nga Azia dhe Afrika.

Sipas presidentit të UEFA-s, nëse Botërori do të bëhet me 40 skuadra, ateherë do të ketë vende të mjaftueshme për të rritur pjesëmarrjen nga çdo kontinent.

“Ashtu si zoti Blatter, edhe unë mendoj që kemi nevojë për më shumë vende afrikane dhe aziatike në Botëror. Megjithatë, në vend që të reduktohet numri i ekipeve europiane, mund të rritet numri i përgjithshëm i të kualifikuarve në fazën finale”, deklaroi Platini.

Në Botërorin e Brazilit, Europa do të ketë 13 përfaqësuese, Afrika pesë dhe Azia katër të sigurta, plus një që do të vendoset nga plejofi i vendit të pestë të Amerikës së Jugut, midis Jordanisë e Uruguajit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA