Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, u shpreh në Gjirokastër se Lazarati nuk është një problem vetëm i Policisë së Shtetit, por është një fenomen kompleks, që do ndërhyrjen dhe mbështetjen e të gjithë institucioneve ligjzbatuese.
Kreu i policisë tha se askush nuk do bëjë strucin apo të mbylli sytë.
“Lazarati është një problem tepër kritik dhe ne nuk mund të bëjmë strucin, apo të mbyllim sytë ndaj një fenomeni të tillë. Këtë rast nuk e njohim vetëm brenda kufijve shqiptarë, por edhe jashtë tyre. Hyrja në Lazarat duhet bërë në bashkëpunim me agjencitë e tjera, të cilat janë të interesuara që në këtë fshat të funksionojë shteti, që ai të mos mbetet një njollë e zezë, jo vetëm për Gjrokastrën, por edhe për mbarë Shqipërinë. Më tej, në fjalën e tij, Didi i ka cilësuar uniformat blu mjaft të rëndësishme dhe me kontribut të jashtëzakonshëm në përparimin e shtetit shqiptar. Sipas tij, do të rishqyrtohet puna e çdo efektivi dhe ky është mesazhi, që duhet të jepet ndaj uniformave blu”, u shpreh Artan Didi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e bëri këtë deklaratë gjatë një inspektimi të kryer në pikëkalimin kufitar të Kakavijës, ku falënderoi efektivët e policisë për kapjen e një sasie të konsiderueshme kokaine gjatë një aksioni të dielën në mesditë.
Lidhur me lëvizjet e reja në Policinë e Shtetit, zoti Didi deklaroi se emërimet dhe lëvizjet kanë si synim luftën efikase ndaj krimit dhe korrupsionit, ndërsa shtoi se efektivët që kanë përmbushur me përkushtim detyrën e tyre mbeten një vlerë e paçmuar në radhët e Policisë së Shtetit.
Top Channel