Kur na ndajnë edhe pak ditë nga hapja e gjykatës më të kërkuar në vend përgjatë tre viteve të fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë komandoi krerët e gjykatave administrative gjatë një mbledhjeje rekord që zgjati gjithë ditën.
Në krye të Gjykatës Administrative, shkalla e parë Tiranë, do të jetë gjyqtari Eriol Roshi, në Apelin Administrativ Tiranë, gjyqtari Kastriot Selita, ndërsa në Gjykatën Administrative Shkoder Valbona Duraj, në Durrës Genci Sinjari, në Korçë Sokol Ibi, në Vlorë Astrit Sheme dhe në Gjirokastër gjyqtari Ramiz Lala.
Ndërkohë që në datë 4 nëntor, përfundimisht KLD konfirmon se nis nga puna Gjykata Administrative në Tiranë, që do ketë këto seli: për shakllën e parë do të jetë godina ekzistuese e ish-institutit të kërkimeve zooteknike në rrugën “Don Bosko”, Gjykata Administrative Durrës në ish-godinën e zyrës së përmbarimit të këtij qyteti, ndërsa të gjitha të tjerat janë konceptuar të funksionojnë brenda ndërtesave ekzistuese të secilës prej gjykatave përkatëse.
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço përsëriti apelin për plotësimin e nëntë vendeve vakante në gjykatat administrative në rrethe, si dhe për Gjykatën e Lartë.
“Ndodhur në këtë situatë që nga hyrja në fuqi e dekretit, më 16 nëntor 2012, KLD duhet të ishte më i vëmendshëm për administrimin e këtij procesi. Gjithashtu, do të doja të sillja në vëmendje çështjen e Gjykatës së Lartë, për disa ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e saj. Në mbledhjen e kaluar të KLD kërkova që ky institucion të trajtonte me prioritet çështjen e vendeve vakante”, deklaroi Naço.
“Pavarësisht mosplotësimit të disa vendeve vakante, ligjërisht kjo gjykatë fillon punën normalisht më 4 nëntor. Edhe një gjyqtar i vetëm gjykon çështjen. Kur do duhet më shumë se një gjyqtar, KLD është këtu i gatshëm në çdo kohë që procesi gjyqësor të mos vonohet”, tha nga ana tjetër Elvic Cefa, nënkryetar i KLD-së.
Për kreun e KLD, Bujar Nishani, hapja e gjykatës administrative është një lajm i mirë për qytetarët. “Do të doja që sot të shpreh mirënjohje ndaj atyre që janë angazhuar për të bërë të mundur këtë shërbim për qytetarët, për hallet administrative të tyre, që duhet t’i zgjidhin në kohë të shpejtë, me shpejtësi gjykimi dhe në mënyrë dinjitoze”, tha Nishani.
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço kujtoi se me hapjen e këtij institucioni duhet rivlerësuar buxheti i gjyqësorit.
Kandidaturat për Gjykatën e Lartë
Presidenti shpall listën, “përjashton” Igli Toskën dhe Sinan Tafajn: 21 emra plotësojnë kushtet
Presidenti i Republikës shpalli listën e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në njoftimin e Presidencës thuhet se 21 janë emrat që plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë të kësaj gjykate.
“Në zbatim të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, pas realizimit të procesit të njoftimit publik për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve, si dhe pas përfundimit të afatit për shqyrtimin e dokumentacionit të çdo konkuruesi për anëtar të Gjykatës së Lartë, shpall kandidatët, të cilët plotësojnë kushtet ligjore të përcaktuara në ligjin e lartpërmendur”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Lista e konkurruesve që plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Kandidatë që vijnë nga radhët e Gjyqësorit
1. Artur Kalaja
2. Astrit Kalaja
3. Dhurata Haveri
4. Entela Prifti
5. Flutura Skënderi
6. Gjovalin Përnoca
7. Petrit Çeno
8. Sokol Ngresi
Kanditatë që vijnë nga radhët e juristëve
1. Adnor Shameti
2. Artan Hoxha
3. Avni Shehu
4. Çlirim Gjata
5. Ermir Dobjani
6. Ervin Pupe
7. Gjet Kola
8. Ilir Panda
9. Maksim Qoku
10. Mariana Semini
11. Sokol Sadushi
12. Skënder Demiraj
13. Skënder Kaçupi
Me përfundimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve, hapet rruga e bashkëpunimit midis Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, bashkëpunim që do të përcaktojë kriteret konkrete, bazuar në listën e kandidatëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë të anëtarit, duke siguruar kështu përbërjen cilësore dhe të nevojshme për Gjykatën e Lartë.
Top Channel