Gjergj Pali rikthehet në Tiranë

28/10/2013 00:00

“The Journey” apo “Udhëtimi”, titullohet ekspozita e piktorit shqiptar me banim në Amerikë, Gjergj Pali e cila çelet në ambientet e Galerisë Kombëtare të arteve në Tiranë.

Autori përmes kësaj përmbjedhjeje artistike që përmban 65 piktura, përcjell një copëz të krijimtarisë së tij të vitit të fundit. Trajektorja që ka ndjekur frymëzimi artistik i Palit, kalon kryesisht përmes dy temave qëndrore, asaj të varkës së Noas dhe pikturave kushtuar muzikës, një nga zhanret për të cilat autori njihet më së tepërmi në botë.

 “Jam Mesdhetar dhe Shqipëria si vend me dritë dhe absolutisht kam gjithmonë para syve të mi veshjet popullore të festivaleve, që unë që fëmijë kam marrë pjesë në to, si instrumentist dhe më vonë edhe si piktor, prandaj jam kthyer prap asaj që bëra këtu dhe kam bërë një konglomerat që t’i shihni këto në kahe të dyanëshme”, thotë piktori Gjergj Pali.

Në veprën e tij autori ndërthur copëza dhe kujtime nga e kaluara e tij në Shqipëri, vargje këngësh e melodish popullore me objekte dhe pamje nga jeta e tij në Amerikë, duke mos ndjekur vetëm një linjë krijuese, por duke ndërthurur disa prej tyre.  

Gjerg Pali ushtron profesionin në Shtetet e Bashkuara dhe ka korrur sukses, duke fituar edhe cmime ndërkombëtare si ai i “Luanit të Artë” i akorduar për pikturën “Muzikanti” në Monako në vitin 2012.

Top Channel