CEZ qe dështim i shtetit shqiptar

28/10/2013 00:00

GJERGJ EREBARA – Qeveria shqiptare po përpiqet të mbyllë një telash që
filloi në vitin 2008 me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së
energjisë elektrike dhe që arriti kulmin me përzënien e kompanisë
privatizuese e nisjen e procesit të rishtetëzimit të kompanisë që dikur
quhej OSSH dhe tashmë quhet CEZ. Problemi ka potencialin t’u kushtojë
shqiptarëve dhjetëra apo qindra milionë euro.

Telashi CEZ është pjesë ose produkt i një telashi më të madh të Shqipërisë, mungesa e shtetit ligjor ose shtet i dështuar.

Tri janë rrugët e zgjidhjes së kësaj situate: vlerësimi i aseteve të CEZ dhe shpronësimi i saj, një procedurë që do të kushtojë ca para; arritja e një marrëveshjeje për rikthimin e kompanisë te pronari i vet, grupi çek, CEZ, ose rishitja e kompanisë te një palë e tretë.

Cilado prej këtyre zgjidhjeve nuk e zgjidh në thelb problemin, ose shkaqet që e krijuan këtë situatë.

E para, CEZ dështoi se nuk mblidhte dot faturat e energjisë elektrike. Kur ka një kontratë dhe njëra palë refuzon ta respektojë atë, (në këtë rast qytetarët dhe institucionet publike që nuk shlyen faturat), kompania nuk mund të marrë një revole e të shkojë t’i mbledhë me dhunë. Ajo ka nevojë që policia ose shteti ta detyrojë shkelësin të plotësojë detyrimet e veta kontraktuale. Kur shteti nuk e ndihmoi, nuk kreu funksionin e vet themeltar. Kjo do të thotë që shteti dështoi.

E dyta, rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike është një monopol natyror dhe si i tillë, nën pronësi shtetërore apo private, duhet të mbikëqyret për mbrojtje të konsumatorëve. Në rast se mbikëqyrësi nuk e kryen këtë funksion, sërish kemi të bëjmë me dështim të shtetit.

Konkretisht, CEZ pati disa liri nga autoriteti, në drejtim të importit të dritave, të cilat sollën kosto të pajustifikuara për konsumatorin. Formula e tenderimit të energjisë së importit dhe rregullimi i marrëdhënies së CEZ me prodhuesin shtetëror KESH, qenë në dëm të KESH dhe të konsumatorit. Shkurt, CEZ hyri në Shqipëri si një korporatë ndërkombëtare që filloi të përdorë mekanizmat e zakonshëm të biznesit politik në vendin tonë. Zhvatje dhe ndarje fitimesh. Të ashtuquajturat kontrata për mbledhjen e borxheve të këqija, a thua se kishte nevojë që faturat e papaguara nga institucionet publike të mblidheshin nga një palë e tretë, qenë vetëm një pjesë e praktikave korruptive të kompanisë së nderuar CEZ. Por në thelb, CEZ kërceu sipas muzikës. Në një shtet ku nuk zbatohen kontratat, nuk ka se si të bësh biznes.

Privatizime të tilla kanë dështuar në shumë vende të tjera, si në Maqedoni e Bullgari. E gjithë logjika pas privatizimit të sektorit të energjisë elektrike ka rezultuar e gabuar në shumë vende europiane. Në të gjitha rastet, mungesa e rregullave të sakta dhe mungesa e zbatimit të rregullave, janë shkaktarë të dështimit. Askush nuk mund të pretendojë se faji qe i njëanshëm, i kompanisë apo i shtetit. Por është i sigurt detyrimi i zbatimit të kontratave është parakusht për funksionimin e vendeve.

Qeveria do të zgjedhë praktikisht mes shpronësimit dhe kthimit të CEZ në ndërmarrje shtetërore ose rikthimin e saj në administrimin e CEZ-it. Rishitja e kompanisë te një palë e tretë, nuk ngjan një ide shumë e mirë. Çmimi i shitjes do të qe minimal dhe ka gjasa që vetëm ndonjë kompani aventurore do të afrohej.

Rikthimi te CEZ apo shtetëzimi janë dy opsionet që mbeten. Sido që të jetë zgjidhja, problemi mbetet tek aftësia e shtetit për të detyruar nënshtetasit e vet të respektojnë kontratat e nënshkruara. Aftësia e zbatimit të ligjit nuk varet shumë nëse bëhet fjalë për ndërmarrje shtetërore apo ndërmarrje private. Varet nga vullneti politik për urdhërim dhe ndëshkim.

Nuk është se ka shumë rëndësi se cila do të jetë zgjidhja për pronësinë e CEZ Shpërndarje, por ka shumë rëndësi çështja nëse ekziston vullneti politik për të mbledhur faturat e dritave.

Mbledhja e faturave të dritave është edhe një ushtrim i mirë për ligjzbatimin në përgjithësi në Shqipëri. Duke qenë se mospaguesit janë me dhjetëra mijëra, një fushatë reale për mbledhjen e detyrimeve përbën një gur themeli në ndërtimin e një shteti normal. Në rast se kjo nuk bëhet, atëherë do të vijojmë me të njëjtën situatë siç kemi qenë në të shkuarën, dhe siç jemi aktualisht, një shtet i dështuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA