Superiore, Skënderbeu rikthehet në krye

27/10/2013 18:10

Ka zgjatur vetëm 24 orë kryesimi i vetëm i Teutës, sepse kampionët kuqebardhë ia kanë dalë ta kalojnë Kastriotin në Krujë dhe t’i bashkangjiten kreut.

Suksesi ka qenë minimal për kuqebardhët e Mirel Josës, që i janë falur golit të Morinës, ardhur pas një hezitimi të pafalshëm të prapavijës krutane në largimin e topit nga zona e tyre.

Kësisoj, kreu bëhet sërish me “dy koka”, Skënderbeu dhe Teuta, duke e rikonfirmuar këtë duet plot rivalitet edhe pas javës së 9.

Tirana ka dalë e mundur nga transferta kavajase. Alpin Gallo e nis me humbje debutimin si trajner i bardhebluve, ndërsa kosovari Berisha ka vendosur fatin e 90-minutave të luajtura në stadiumin “Besa”.

Përmbysje fantastike ka bërë Flamurtari në fushën asnjanëse të Beratit. Nëse Çikalleshi do të shënonte i pari për Kukësin, në minutën e 39, kanë reaguar për kuqezinjtë kapiteni Franc Veliu, që ka barazuar fillimisht, pastaj Mici, i cili kalon në epërsi të tijtë në minutën e 73.

Një tjetër goditje për nënkampionët e vendit, që tashmë dëshmojnë qartë se janë përfshirë nga një krizë rezultatesh, pavarësisht ndërrimit të trajnerit, largimit të Cungut dhe ardhjes së Shensojit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA