E pandalshme! Është e vetmja fjalë që mund të përshkruajë këto 9 javë të kampionatit të Serisë A, sa i përket verdhekuqve të Romës, të cilët arrijnë të fitojnë 1-0 edhe në transfertën e vështirë ndaj Udinezes, duke barazuar kështu rekordin prej 9 suksesesh në një fillimsezoni nga Juventus i Capello-s, në vitin 2006.
Goli i fitores u shënua në minutën e 82 me anë të Bradley-t, sapo kishte hyrë si zëvendësues në fushën e lojës, në një moment kur Roma gjendej me 10 lojtarë, pas ndëshkimit të Maicon me kartonin e dytë të verdhë.
Keqardhje për friulanët, të cilët deri në atë moment ishin shfaqur më të rrezikshëm: shtyllë nga Muriel, një top i shpëtuar në vijën fatale nga Castan, dhe një rast i pastër për Di Natale.
Milan ngadalëson hapin ndjekës ndaj vendeve të larta të klasifikimit, teksa ndalet në transfertën e Parmës 3-2, me një gol të pësuar në minutën e 4 shtesë. Skuadra e Allegri-t e nisi dobët, duke pësuar 2 gola gjatë pjesës së parë. Parolo dhe Cassano, autorë të golave për vendasit.
Ndërkohë, në pjesën e dytë, Balotelli, i cili ishte ndëshkuar me karton të verdhë për simulim, i lë vendin Matrit, teksa aktivizohet edhe Kakà. Është pikërisht ish-sulmuesi i Juventus, ai që ngushton distancën, ndërkohë që Silvestre, vetëm 2 minuta më pas, rikthen barazpeshën mes dy skuadrave dhe u jep më shumë shpresa kuqezinjve për të fituar ndeshjen.
Por, në minutat shtesë, Parolo, pas një goditjeje dënimi të fituar rreth 30 metra larg portës, arrin të “çajë” murin mbrojtës dhe ta dërgojë topin pas shpinës së Gabriel.
Pas dy humbjesh mes kampionatit dhe Champions League, rikthehet te fitorja edhe Juventus i Antonio Conte-s, gjë që e bën duke mposhtur 2-0 Genoa-n në fushën e tij, në një takim me sens unik.
Protagonist i ndeshjes, portieri kuqeblu Perin, autor i të paktën 4 pritjeve të mrekullueshme. Megjithatë, nuk mund t’i bënte asgjë penalltisë së Vidal, që kaloi juventinët në avantazh, edhe pse pati kontestime për dhënien e 11-metërshit, pas një faulli jashtë zone, si dhe një golit të Tevez, të cilat vendosën gjithçka që në pjesën e parë. Juve mbetet 5 pikë larg Romës kryesuese.
Edhe Napoli ecën me të njëjtin hap me bardhezinjtë, si dhe mbetet sërish në -5 pikë larg romanistëve, pasi kanë arritur të mposhtin po 2-0 Torinon në “San Paolo”.
Ai që vulos gjithçka ka qenë Higuain, falë transformimit në gol të dy penalltive, të dyja të fituara brenda pjesës së parë. Shpërdorohen raste të pastra për golin e tretë, sidomos me Insigne, Mertens dhe Callejon, por kaq ka mjaftuar për të mos iu larguar edhe më shumë Romës.
Ka fituar në këtë javë edhe Fiorentina, sërish me përmbysje rezultati, këtë radhë kundër Chievo-s. Vendasit kaluan në avantazh me anë të Cesar, pas krosimit të Drame. Por, në minutën e 45 barazon Cuadrado, i cili në të dytën shënon sërish, duke bërë që Fiorentina të barazohet me pikë me Interin, në vendin e 4. Humbja e 5 radhazi për Sannino, që rrezikon shkarkimin.
Top Channel