Seria A, Interi rikthehet tek fitorja

27/10/2013 08:25

Në ndeshjet e javës së nëntë të Serisë A, zhvilluar mbrëmjen e së shtunës, Interi u rikthye tek fitorja, duke mposhtur në shtëpi me rezultatin 4-2 skuadrën e Veronës.

Pas barazimit 3-3 në transfertë me Torinon dhe humbjen e rëndë 0-3 në “San Siro” ndaj Romës në dy javët paraardhëse, skuadra e Mazzarit kishte nevojë të domosdoshme për këto tre pikë, për t’u rikthyer në luftën për vendin e tretë që të kualifikon në Champions League.

Ndeshja nisi mirë për zikaltërit, pasi një autogol i Moras i kaloi në avantazh në minutën e nëntë. Palacio dyfishoi disa minuta më pas dhe ndonëse Verona arriti të shkurtonte me Martinjon, një gol tjetër i Cambiassos i tha Interit një avantazh të qartë në fundin e pjesës së parë.

Pas intervalit, Rolando shënoi një gol të katërt për Interin, ndërsa rezultati i takimit u fiksua në 4-2.

Me këtë fitore, Interi ngjitet në vendin e katërt të renditjes, duke lënë pas pikërisht Veronën, skuadrën surprizë të ardhur nga Seria B në këtë sezon.

Ditën e dielë, kampionati italian do të dhurojë disa sfida të tjera të gjitha për t’u ndjekur, si ndeshjet Napoli-Torino, Parma-Milan, Juventus-Genoa apo Udinese-Roma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA