Një “E Diell” me Amarda Toskën

27/10/2013 00:00

Amarda Toska, ish-balerinë në trupën e baletit të Top Channel dhe prezantuese e emisionit “Portokalli”, rikthehet të flasë për “E Diell”, tashmë jo vetëm si bashkëshortja e Ermalit, por edhe si nënë e Joelit.

“Ju gjej të ndryshuar, me një godinë të re dhe një përparim, pasi vitet bëjnë të vetën. Një nostalgji e bukur, teksa takoj njerëzit me të cilët kam punuar. Gjithmonë do ta kujtoj dhe do ta mbaj në zemër “Portokalli”-në, dhe vazhdoj ta ndjek me kënaqësi edhe sot.

Sa më përket mua, prej 1 dekade kam qenë vetvetja dhe ruaj pothuajse të njëjtën staturë në media. Gjithcka kam thënë, kam bërë dhe kam dhuruar në daljet e mia, kanë qenë cdo gjë që do të mund të jepja sërish, pa ndryshuar asgjë”.

Ami-nënë, lindja e fëmijës

Akoma s’janë bërë 3 javë nga ardhja në jetë e djalit Joel, të Amarda Toskës dhe Ermal Mamaqit, teksa Ami, ashtu siç njihet nga të gjithë në media, tregon momentin e lumtur kur mori vesh shtatzaninë.

“Jam ndjerë shumë e lumtur, ishte një moment kur unë kisha ikur për të bërë analizat, dhe isha e përgatitur disi, por ka qenë dicka shumë e bukur. Dihet që jeta jonë ka qenë edhe pak e ndikuar prej angazhimeve me biznesin, por cdo gjë eci shumë mirë përpara dhe më pas. Kam dashur një shmangie nga mediat, për të mos pasur vëmendjen e tyre. Megjithatë, kjo ishte zgjidhja ime, nuk mund të them që jam kundër femrave të tjera, që zgjedhin të kalojnë kohën e shtatzanisë të preokupuara në media”.

Joeli lindi më 30 shtator dhe tashmë e ka bërë edhe më të lumtur jetën në cift me Ermalin.

Amarda, raporti me mediat

“Nuk ka qenë strategji e imja, që të mbetesha në kopertinat e revistave, apo në ekranet e mediave. Thjesht kam dashur që, më mirë t’i kisha miq gazetarët dhe njerëzit e mediave të shkruara, se sa të ruaja distancën ndaj tyre dhe sërish të mërzitesha nga gjërat që mund të publikoheshin. Kam zgjedhur që të jem e hapur ndaj intervistave, fotove, apo gjithçka tjetër më është kërkuar prej tyre. Kjo është pjesë e jetës sonë, si persona publikë.

Ndonjëherë ka pasur teprime? Po, jam mërzitur shpesh herë në fillimet e mia, kur lexoja gjëra që mendoja se nuk duhej të publikoheshin apo që deri diku më dukeshin të deformuara. Megjithatë me kalimin e kohës nuk shqetësohesha më për ato që shkruheshin, edhe për faktin që unë thoja gjithcka për ta, duke mos lënë vend për keqinterpretime”.

Joeli, shtatzania dhe pesha

“Ka qenë një shtatzani e bukur, mora plot 17 kg, por jam ndjerë shumë e lumtur. Mjafton që shëndeti im ka qenë shumë mirë gjatë dhe pas saj, ndërkohë që nuk e vrisja fare mendjen për peshën time. Edhe në këtë moment nuk e mendoj faktin që jam disi mbi peshë, por besoj se brenda pak muajsh do të rikthehem në formën time më të mirë.

Në sallën e lindjes, cuditërisht ishte edhe Ermali, pasi gjatë gjithë kohës, edhe kur të afërmit ia kërkonin atij, ai nuk donte të ishte i pranishëm. Por, edhe me ndërhyrjen e stafit të spitalit, Ermali u gjend pranë meje në atë moment të vecantë. Joel është emri që i kemi vënë djalit, edhe pse ishte në rivalitet me Noel, gjithsesi duke qenë se jemi të dy besimtarë, donim thjesht që emri të kishte një përmbajtje biblike.

Tashmë kam krijuar librin e bebes, ku shënohen dhe ruhen të gjitha gjërat kryesore, që nga lindja, kërthiza, gjërat e tjera në vazhdim, e deri kur të flasë fjalët e para, dhe aty do të vendos gjithçka që ka të bëjë me të. Sa i përket ngjashmërisë, pavarësisht se thonë që djemtë u ngjajnë mamave, Joeli është kopje e Ermalit”.

Dhoma e fëmijës dhe Ermali

Gjatë verës Ermali ka qenë shumë i zënë me aktivitete, e megjithatë ka kontribuar mjaftueshëm në rregullimin e dhomës së djalit tonë. Pavarësisht asaj që duket në ekran, nuk kam pasur aspak dyshim që Ermalin do ta kisha përkrah meje. Ka bërë shumë për të mos më lënë të ndihesha e vetme, aq më tepër që dihet se ne jetojmë në shtëpi më vete.

Ermali dhe lidhja me Amin

Lidhja po bën pak a shumë 10 vjet, jemi njohur që në moshën 21 vjecare, përafërsisht, ndërsa tani ndihem i lumtur që jam bërë baba. Është një jetë normale, me më shumë preokupime, por sërish gjejmë edhe kohën për njëri-tjetrin. Gjithcka po ecën shumë mirë, pasi edhe detyrat i kemi ndarë (qesh).

Në dhomën e fëmijës kemi dhënë më shumë se ide, por edhe dashuri. Gjithcka që është bërë aty është punë me dorë, nuk kemi dashur të ndërhyjnë as marangozë e të tjerë, por cdo gjë është bërë nga unë dhe babai im, të cilin e falënderoj.

Dy javët e para të ardhjes së djalit në jetë ishin shpërqendrim total. Nuk e dija se ku ishim. Por, po përpiqem ta shoh si dicka frymëzuese, që nuk të shqetëson, edhe pse më janë dashur thuajse 3 javë për t’u rikthyer me rutinën e përditshme timen. Tashmë më duhet të kujdesem jo vetëm për veten time, por edhe për gatimin në familje, ndërkohë që unë kam përfunduar të fle në dhomën e Joelit, ndërsa Ami dhe djalin flenë në krevatin tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA