Toure: Bojkot “Rusi 2018” nëse ka racizëm

25/10/2013 02:00

Lojtarët me ngjyrë duhet të bojkotojnë kampionatin botëror të vitit 2018 në Rusi, nëse vendi organizator nuk do të luftojë racizmin në futboll, ka sugjeruar Yaya Toure.

“Nëse nuk do të kemi besim për të shkuar në Botërorin e Rusisë, atëherë nuk do të shkojmë”, është cituar të ketë thënë mesfushori i Bregut të Fildishtë, nga agjencia e lajmeve “RIA Novosti”.

UEFA ka nisur hetimet mbi shqetësimin e Toure, i cili është ankuar për abuzime raciale nga disa tifozë të CSKA-së gjatë ndeshjes së ditës së mërkurë në Moskë, për Champions League.

Por, vet CSKA mohon të jenë dëgjuar kore raciste në stadium. Klubi rus, që ka deklaruar se “është surprizuar dhe zhgënjyer njëkohësisht” nga akuzat e Toure, do të përballet me një seancë dëgjimore disiplinore më 30 tetor.

Nëse rezulton fajtor, UEFA mund të detyrojë CSKA-në të mbyllë një pjesë të stadiumit për ndeshjen e ardhshme në Champions.

Në deklaratën e klubit lexohej: “Pasi kemi studiuar me kujdes videon e ndeshjes, ne nuk kemi dëgjuar ofendime raciste nga tifozët tanë”.

Zëdhënësi i klubit, Michael Sanadnze, tha për “BBC Radio 5”: “Nuk kemi asgjë për të fshehur, sigurisht, gjithashtu kemi konfirmimin e delegatit të ndeshjes dhe drejtorit të stadiumit, se ata nuk kanë dëgjuar ndonjë gjë të tillë”.

Edhe lojtari i ekipit rus, bashkëkombas i Toure, sulmuesi Seydou Doumbia, shtoi më tej: “Nuk kam dëgjuar ndonjë kor racist nga tifozët e CSKA-së”. “Po, ata janë gjithmonë të zhurmshëm teksa mbështesin skuadrën, ndërkohë që përpiqen të ushtrojnë sa më shumë presion të mundshëm ndaj kundërshtarëve tanë, por ata nuk do të mund t’i lejonin vetes të lëshonin edhe kore raciste. Mendoj se kolegu im nga Bregu i Fildishtë është duke e ekzagjeruar së tepërmi”, tha ai.

Megjithatë, Piara Powar, drejtor ekzekutiv i trupës europiane anti-diskriminim, “Futbolli Kunder Kundër Racizmit në Europë” (FARE), dhe një anëtar i “Task Forcës” së FIFA-s kundër diskriminimit, mbështeti akuzat e Toure.

Top Channel