“Datagate” që trondit botën

25/10/2013 00:00

Kanë nisur ta quajnë “Datagate”, skandalin e përgjimeve, që sa vjen e zgjerohet.

Gazeta prestigjioze “the Guardian” pretendon se Angela Merkel nuk është e vetmja udhëheqëse me telefonatat e kontrolluara nga Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare.

Në fakt, sipas të përditshmes britanike, në rrjetën e mbikqyrjes së NSA-së kanë përfunduar bisedat e 35 liderëve politikë dhe ushtarakë në mbarë botën.

Për këto pretendime, “the Guardian” citon një dokument të nxjerrë nga arkivi i Eduard Snoudenit, ish-tekniku i CIA-s, i cili bëri publik ekzistencën e programit amerikan të mbikqyrjes masive.

Goditja e radhës për administratën Obama erdhi pak orë pas zotimit të kësaj të fundit për të verifikuar nëse programi i kontrollit të agjencisë më të fuqishme të inteligjencës amerikane ka kapërcyer vërtet, në disa raste, limitet dhe normat e mendimit praktik.

Në dokumentin konfidencial nuk citohen emrat e liderëve të përgjuar, por aty lexohet qartë ftesa e bërë funksionarëve në Shtëpinë e Bardhë, Pentagon e Departamentin e Shtetit, për të ndarë me agjencinë të ashtuquajturat “Rolodex”, apo rubrika personale, në mënyrë që të lejohet shtimi i bazës së saj të të dhënave, me emra të rinj krerësh politikë apo ushtarakë.

Pas reagimit të ashpër të Angela Merkelit, edhe një tjetër gjerman, presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, deklaroi se shërbimet sekrete amerikane kanë dalë jashtë kontrollit.

Gjatë pohimeve të bëra për rrjetin televiziv CNBC, Shulz shtoi se i ka kërkuar sqarime ambasadorit amerikan në BE, për skandalin e NSA-së, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sipas tij, ky është tregues i faktit që Washington-i zyrtar nuk po i vë dot në fre agjencitë e inteligjencës.

Skandali i përgjimeve merr përmasa globale
Edhe britanikët përgjojnë aleatët

Jo vetëm shërbimet sekrete amerikane kanë spiunuar qeveritë dhe politikanët europianë, por edhe spiunët e Britanisë së Madhe.

Kështu rezulton në deklaratat e Gleen Greenwald, gazetari amerikan që ka në dorë dosjet e Eduart Snouden, ish-spiunit të CIA-s të strehuar prej muajsh në Rusi.

Sipas këtyre dokumenteve paralelisht me programin “Prism” të agjencisë amerikane të sigurisë së brendshme NSA,vepronte edhe programi i spiunëve britanikë i quajtur “Tampora”. Po sipas të njëjti burim në qendër të përgjimeve nuk ishin vetëm telefonatat që mund të ndalonin sulmet terroriste, por interes i madh tregohej edhe për telefonatat e politikanëve.

Sic thotë gazetari amerikan, Gleen Greenwald britanikët dhe amerikanët shkëmbenin të dhënat me përgjimet e politikanëve europianë që atyre u dukeshin “të dobishme për të kuptuar planet politike të qeverive të huaja”.

Greenwald zbuloi madje se në rastin e përgjimeve në Itali, të përfshira kanë qenë edhe vetë shërbimet sekrete italiane, që u kanë lënë dorë të lirë homologëve britanikë, ndoshta sipas tij, me mirëbesimin se po përgjoheshin vetëm telefonatat që mund të zbulonin plane për sulme terroriste.

Skandali i përgjimeve ka ngrirë marrëdhëniet mes Berlinit dhe Uashingtonit, pas publikimit të lajmi se në shënjestër të spiunëve amerikanë ka qenë edhe telefoni celular i kancelares Angela Merkel. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle thërriti ambasadorin amerikan, për herë të parë kjo që pas Luftës së Dytë Botërore duke i kërkuar shpjegime.

Vetë kancelarja gjermane, nga Brukseli ku ndodhet për të marrë pjesë në samitin e udhëheqësve të BE-së deklaroi se “ishte spiunuar nga miqtë”. Më herët ajo zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin Obama. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, kreu i Shtëpisë së Bardhë mohoi zërat se viktimë e përgjimeve ka qenë edhe Merkel.

Në fillim të javës gazeta franceze “Le Monde” publikoi një artikull sipas të cilit rreth 70 milion telefonata përgjoheshin cdo muaj nga NSA në Francë, ndërsa përgjimeve nuk u ka shpëtuar as ambasada franceze në Uashington dhe misioni diplomatik i Parisit në Kombet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA