Respektimi i ligjit? As deputetët nuk duan t’ia dinë

24/10/2013 00:00

Andrea Stefani- Dy ditë më parë publiku dëgjoi një lajm disi të
pazakontë: Nja dy punonjëse të policisë rrugore kishin gjobitur disa
deputetë, që kishin parkuar krejt në kundërshtim me ligjin makinat
personale, në trotuaret përballë godinës së zyrave të Kuvendit të
Shqipërisë.

U ndodha rastësisht atje dhe pashë me sytë e mi vajzat police që po mbushnin faturat e gjobave për t’i vendosur mbi xhamat e makinave të deputetëve. Gjëja e parë që më kaloi nëpër tru qe pyetja: A do të ketë nesër vetura deputetësh parkuar kundërligjshëm? Dhe 24 orë më vonë e mora përgjigjen. Ndërsa kaloja mbi të njëjtin trotuar pashë nja tri makina deputetësh të parkuara mbi të me një arrogancë që sikur u thoshte punonjëseve delikate të policisë, por edhe ligjit: Ejani na gjobitni po ja u mbajti! Pas kësaj pyetja që shtrohet është më tragjike: A ka shpresë që të vendoset sundimi i ligjit në një shtet ku edhe deputetët, vetë ligjvënësit, mezi presin që të shkelin ligjet që ata vetë aprovojnë?

***

Politikanët shqiptarë, në qeveri dhe opozitë, betohen se duan ta çojnë Shqipërinë në Europë. Por themeli i Europës është sundimi i ligjit dhe barazia e të gjithëve para tij. Askush nuk është i toleruar të shkelë ligjin dhe rregullin, sado i parëndësishëm të duket ai. Këto ditë, në mediat ndërkombëtare bëri bujë lajmi se Hillari Klinton u gjobit në Londër me 80 £ vetëm sepse makina e saj ishte parkuar për 45 minuta pa paguar tarifën përkatëse. Truprojat e njërës prej grave më të fuqishme në botë ishin përpjekur ta pengonin policin londinez, duke e “sqaruar” se kë po gjobiste, por ai e kish çuar deri në fund detyrën e tij para ligjit. “Makina e ish-sekretares së Shtetit u parkua për rreth 45 minuta pa paguar. Jam i sigurt se ajo e kupton që ne duhet të jemi të ndershëm me këdo, pavarësisht statusit që ka në skenën botërore”, tha një zyrtar britanik, duke nënvizuar rëndësinë ekstreme që ka për një shtet demokratik respektimi dhe barazia e të gjithëve, pa as edhe një përjashtim, përpara ligjit. Kjo është Europa!

***

Sigurisht që sekretarja Klinton e kupton këtë. Por ja, janë ca deputetë shqiptarë që nuk duan ta kuptojnë. Ata këmbëngulin të parkojnë në kundërshtim me ligjin, edhe pse një ditë më parë, një akt i tillë ishte ndëshkuar me gjobë nga policia. Zgjidhja e këtij konflikti është shumë e thjeshtë. Policia duhet të forcojë gjobat ndaj të tillë shkelësve ngrehalucë. Dhe nuk besoj që, deputet a kushdo qoftë, do të vazhdojë të parkojë aty ku s’duhet nëse gjen, çdo herë që guxon të shkelë ligjin, një gjobë të majme në xhamin e makinës. Por këtu është rasti për të diskutuar një problem më rrënjësor, që ka të bëjë me të keqen që po torturon Shqipërinë në këta 23 vjet tranzicion. Është fjala për lehtësinë me të cilën ne e shkelim ligjin, prirja për një krim të tillë që, në fakt, është embrioni i shkatërrimit të projektit të shtetit ligjor. Sepse shteti nuk është asgjë më shumë veçse një tërësi rregullash. Ai nis e shthuret nga tolerimi edhe i shkeljeve më të vogla, ashtu si një triko shthuret nëse vazhdon të tërheqësh një fill të vogël të saj. Unë e kuptoj një shitës ambulant cigaresh që shkel ligjin (një prej të cilëve e pashë po dje ta kapnin për “leckash” policët e bashkisë) për të nxjerrë një kafshatë bukë. Nuk them se bën mirë, por se e kuptoj fatalitetin e gjendjes së mjeruar që e shtyn për nga shkelja e ligjit. Por nuk e kuptoj se çfarë e shtyn një deputet të bëjë një akt të kundërligjshëm, kur asgjë nuk e detyron ta bëjë një gjë të tillë. Një shkelje e vogël, pa rëndësi? Por kur një deputet shkel një rregull, zbatimi i të cilit nuk i kushton asgjë, çfarë do ta bënte të mos shkelë ligjin në organizmin e një tenderi, shkelje që mund t’i japë një fitim prej milionësh? Pra çfarë i detyron të shkelin ligjin edhe aty kur s’fitojnë asgjë? Mos vallë kemi të bëjmë me një sadizëm karakterial që kënaqet nga vetë thyerja e rregullit dhe që lirinë e sheh te shkelja dhe jo zbatimi i ligjit? Shpjegimin e gjej edhe te një mendësi e vjetër, orientale, që gjithkënd që fiton sado pak pushtet, nis e vendos mbi ligjin, mbi rregullat. Të marrësh një post në Republikën e Shqipërisë vazhdon të konsiderohet si një fakt që të jep një status mbiligjor, një status që të lejon të bësh disa gjëra që qytetarëve të tjerë u ndalohet nga ligji. Madje ka politikanë, me mendje të përvetuar, që mezi presin ta ushtrojnë një privilegj të tillë kudo e për çdo gjë. Një status i tillë ilegal, është i ngjashëm në thelb, me atë që u falet të fortëve të mafies. Kurse për mendësinë perëndimore është krejt e kundërta. Pikërisht atij që është në krye të shtetit, as ligji, as publiku dhe as media nuk ia toleron ta shkelë ligjin dhe rregullat, qoftë edhe një thërrime. Pak javë më parë, një drejtor doganash në Gjermani u detyrua të japë dorëheqjen vetëm sepse media denoncoi faktin që ai kish parkuar makinën e tij private në parkingun e institucionit të tij, gjë që nuk lejohej. Pse i gjithë ky skrupulozitet? Manjakëri?! Aspak! Por zbatimi i ligjit nga ata që janë në majat dhe vitrinën e shtetit, është shumë i rëndësishëm për respektimin e ligjit prej gjithkujt poshtë në rrugë. Nëse një qytetar i zakonshëm e zbaton rëndom ligjin nga frika e ndëshkimit, një zyrtar apo politikan duhet ta zbatojë nga devocioni për ligjin dhe të drejtën. Dhe ne jemi në gjendjen më të mjeruar për një shtet, kur ca politikanë e deputetë, mezi presin ta dhunojnë ligjin nga lartësia e poshtër dhe perverse e një statusi mbiligjor pandëshkueshmërie që nuk i trembet fare ligjit! Një gjendje që nuk mund të mos çojë në rrënimin e shtetit, nëse nuk i jepet fund me forcën dhe këmbënguljen e ligjit. Sepse nëse ligji nuk zbatohet në pallatet e prijave, përse duhet pritur të zbatohet nëpër kasollet e vegjëlisë?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA