Arben Manaj – Në intervistën e fundit dhënë në Shqip në Top Channel,
kryediplomati i ri shqiptar, Ditmir Bushati, tha një të vërtetë të
madhe, por gjithsesi të paplotë.
“Ambasadat janë parë deri tani si konvikte, ku strehohen njerëz të afërt të qeverisë, drejtuesve të mediave dhe atyre të lidhur me interesa të ngushta me pushtetin financiar”, ishte pohimi i tij.
Këtij sekreti publik i mungojnë emrat. Dhe kjo jo për kuriozitet, por si domosdoshmëri për të kuptuar dhe shmangur shumë fenomene të tilla në të ardhmen, ka nevojë të jetësohet.
Transparenca jonominale e Bushatit, sidomos për njerëzit e medias, të lidhura me pushtetin apo që bëjnë pazare me çdo pushtet të ditës, është vitale për pavarësinë respektive të këtyre dy pushteteve në sistemin demokratik.
Publiku shqiptar, që ndikohet aq shumë nga prurjet intelektuale apo informuese të njerëzve influencues në media, do të duhet të dinë modelin e vërtetë moral të atyre që i dëgjojnë çdo natë duke u predikuar demokraci dhe praktika shtetformuese nëpër shtëpitë e tyre, në programet politike suficitare në vend.
Pasi të ketë këtë lloj informacioni, do të mund të përzgjedhë se nga cili burim do të marrë mendimin e informuar për çështjet e mbarëvajtjes ose defekteve të demokracisë shqiptare në proces.
Dihet se pushtetet dhe qeveritë e çdo kohe kanë tentuar fatkeqësisht shpesh me sukses, të korruptojnë median dhe njerëzit e saj, në shkëmbim të mbështetjeve favorizuese për politikat e saj. Kjo ndodh thuajse në tërë botën demokratike.
Këtë e ka pohuar për shembull, me gojën e vet, edhe i shumëpërfoluri dhe i shumëpërmenduri së fundmi në mjedisin mediatik dhe politik shqiptar, ish-kryeministri britanik, Toni Bler, gjatë hetimit të fundit për marrëdhëniet e deformuara media–politike dhe praktikat e shtypit britanik, kur shpjegoi në hetimin “Chilkot”, lidhjet e tij me manjatin e medias, mogulin australian Rupert Mërdok (Rupert Murdock), duke e argumentuar me nevojën e mbulimit pozitiv nga media e tij e qeverisjes së Blerit.
Edhe Shqipëria ka përvojën e saj të re në këtë fushë dhe shembujt e saj ose antiheronjtë që tashmë dihen.
Por edhe në një shkallë më të vogël, shprehje e kësaj konstanteje korruptuese të njerëzve të medias, janë edhe favorizimet e tipit pasaportë diplomatike apo edhe emërimet nëpër ambasadat shqiptare nëpër botë të njerëzve dhe familjarëve të tyre, si shprehje e mirëfilltë nepotizmi dhe kronizmi.
Unë jam në dijeni që z. Bushati ka lëshuar dhe firmosur ndërkohë disa urdhra për lirime nga detyra dhe postet diplomatike, njerëz, të cilët ai thotë që i kanë shndërruar ambasadat shqiptare në konvikte dhe për këtë e përgëzoj.
Por ajo që do të prisja prej tij, do të ishte çuarja deri në fund e kësaj transparence që mbetet gjysmake.
Normalisht që ministri i Jashtëm mund të përdorë aftësitë tij diplomatike edhe në këtë fushë, por diplomacia aq sa në një nga shumë definicionet e saj klasike, do të thotë argumentueshëm “të gënjesh për të mirën e vendit tënd”, në rrafshin e brendshëm këto pohime janë vetëm dhe thjesht politikë safi.
Nuk besoj se është çështje etike, mospërmendja e emrave konkretë të njerëzve që kanë shfrytëzuar një zeje dhe një pushtet si ai i medias, për të përfituar dhe për t’i shërbyer ish-pushtetit. Nuk është, pasi “konviktorët” diplomatikë janë njoftuar tashmë zyrtarisht të dalin nga godina.
Nuk besoj se kjo lidhet me ndonjë lidhje okulte, pasi nuk do t’i firmoste këta urdhra diplomatikë, për të cilat jam në dijeni.
Por as edhe nuk dua të besoj se shefi i tij të ketë ndonjë dobësi personale dhe preferencë ndaj ndonjërit në media, që edhe mund ta ketë në publik, kundërshtar të fortë dhe praktikisht mund t’i ketë bërë nder me ndonjë ligj të mbështetur nga ish-opozita, duke i favorizuar indirekt biznesin e tij, siç mund të arsyetojnë kritikët e Kryeministrit.
Ministri i Jashtëm lipset për hir të transparencës t’i publikojë këta emra, që publiku të dijë dhe të konfirmojë se cilët kanë qenë ata që kanë flirtuar me pushtetin, por edhe që ndonjë “hero” i opozitës, paraardhës i Bushatit, të heshtë dhe të mos ketë fytyrë, t’u drejtohet shqiptarëve, kur është mëkatar dhe zullumqar me praktika të tilla emërimesh.
Por, nga ana tjetër, edhe “konviktorët” nuk ka përse të ndodhen të paragjykuar, nëse vërtet janë të atillë dhe njerëzit e tyre vërtet e kanë merituar një post apo emërim të tillë në diplomaci, ndoshta në përputhje me ligjet në fuqi, sado imperfekte.
Transparenca e Bushatit do të duhet të shkojë deri në fund për të mirën e medias, mbi të gjitha asaj që do të duhet të jetë opozita konstruktive reale dhe denoncuese me meritë e çdo keqqeverisjeje, gardiane e interesit publik dhe zëdhënëse e saj.
Ajo do të duhet të shkojë deri në fund, edhe për të mos njollosur përmes anonimitetit tërë ata gazetarë dhe analistë të ndershëm që janë profesionistë dhe u përmbahen parimeve të zejes së tyre.
Kjo transparencë duhet të plotësohet edhe për të mos pasur as pushteti i ri ndonjë avantazh hipotetik përmes mosnominimit të “konviktorëve të diplomacisë”, ndaj njerëzve dhe drejtuesve të medias.
Mund ta fillojë z. Bushati, edhe nga pjesa ime e pyllit, siç thonë anglezet (my neck of the Wood), nga Londra, po të dojë.
Idealja do të ishte që ai ta çonte në fund këtë, për të mos pasur alibi apo brejtje morale e politike dhe jo ne të medias, pasi në të kundërtën, kredencialet diplomatike të Rilindjes do të ishin të korruptuara që brenda 100 ditëshit të parë.
Kjo transparencë, në fund të fundit, nuk është irelevancë periferike sesa një domosdoshmëri demokratike, që diplomacia shqiptare të ketë një shans tjetër të ri, që të jetë sa më profesionale dhe bashkëkohore.
Gazeta “Shqip”
Top Channel