Policia kufitare e Durrësit ka ndërmarrë një kontroll të gjerë ndaj
dokumentacionit të anijeve të peshkimit dhe mjeteve të tjera lundruese
për të parandaluar veprimtarinë kriminale përmes tyre.

Gjatë kontrollit të ushtruar përgjatë hapësirës detare që shtrihet nga derdhja e lumit Buna deri në derdhjen e lumit Vjosë, shërbimet e policisë kufitare në bashkëpunim me Qendrën Ndërpperacionale Detare dhe Guardia di Finanza-n kanë kontrolluar 74 mjete lundruese, kryesisht anije peshkimi.

Në 21 prej tyre janë konstatuar mungesa në dokumentacion dhe është marrë masa e bllokimit administrativ. Mjetet e bllokuara janë konstatuar kryesisht në vendbazimet e vijës bregdetare Divjakë-Dajlan, Qerret-Golem dhe Shëngjin-Tale, ndërsa në hapësirën detare nga derdhja e lumit Buna deri në derdhjen e Matit janë konstatuar me probleme dhe bllokuar 3 mjete të tjera lundruese.

Zyrtarisht bëhet e ditur se operacioni për kontrollin e mjeteve lundruese dhe goditjen e trafiqeve të kundraligjshme që kryhen me mjete lundruese nëpërmjet kufirit blu do të vijojë dhe në ditët e ardhshme.

Top Channel