
Ndërthurja e artit dhe sidomos kinemasë me objektet e trashëgimisë kulturore për të rritur promovimin e këtyre të fundit dhe ruajtur vlerat e veçanta, ka qenë një prej temave kryesore ku është fokusuar një projekt i mbështetur nga Bashkimi Europian, i paraqitur në konferencën ndërkombëtare të organizuar në Tiranë me këtë rast, i cili përfshin disa vende të Europës Juglindore.
Zef Cuni, zv/ministër i Kulturës, deklaroi: “Synimi i projektit është të krijohet një bazë e fortë për të siguruar sinergji mes ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe rritjes social-ekonomike duke nxitur adoptimin e një qasjeje moderne të planifikimit mjedisor në rajonin e Europës Juglindore. Një partneritet i shtrirë në nivele të ndryshme do të sigurojë përmbushjen e objektivit të projektit.”
Në konferencë janë paraqitur edhe shembuj të suksesshëm të rijetëzimit të objekteve kulturore si dhe punë të artistëve nga e kaluara që i kanë dokumentuar këto objekte duke i ruajtur ato në kohë.
Projekti është prezantuar në ditën e dytë të Festivalit të Filmit në Tiranë, duke patur si qëllim edhe nxitjen e kineastëve për të promovuar objektet e rëndësisë së veçantë duke rritur edhe interesin e publikut për to.
Top Channel