Ministerialin e parë të NATO-s ku morri pjesë, ministrja e re e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e nisi me një takim me sekretarin e përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen.
Kodheli e siguroi interlokutorin për vazhdimin e kontributit të Shqipërisë në kuadër të veprimeve të KFOR-it në Kosovë dhe veçanërisht në kuadër të veprimeve të ISAF-it në Afganistan, edhe pas vitit 2014.
Sfidë për ushtrinë shqiptare mbetet gjithësesi përmbushja e detyrimeve të NATO-s për t’u bërë një vend i besueshëm aleat.
“Ushtria shqiptare duhet të jetë një ushtri shumë më e depolitizuar nga ç‘është sot, duhet të jetë një ushtri shumë më profesioniste nga ç‘është sot. Dhe që kjo të ndodhë dhe që forcat e armatosura shqiptare të futen në këtë proces tranformimi, nga i cili nuk ka kthim, duhet që disa gjëra të bëhen jo siç janë bërë më përpara”, deklaroi Kodheli.
Një takim tjetër ajo zhvilloi me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel. “Unë e sigurova sekretarin e Mbrotjes se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partner i mirë, real, mbështetës i partnerit tonë të madh strategjik, SHBA-ve. Nuk mjafton të jesh vend anëtar i NATO-s, duhet të transformohesh, duhet të kesh mundësinë të pregatitësh më mirë trupa për të qënë i barabartë midis të barabartëve, duhet patjetër të kesh një nivel të caktuar pajisjen e këtyre trupave, duhet patjetër të kesh në një nivel të caktuar informacionin e inteligjencës”, theksoi Kodheli.
Për të ecur me një hap me vendet aleate qeveria e re pritet të rifreskojë strategjinë dhe planin e veprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, gjë që sipas ministres Kodheli nuk është bërë që prej vitit 2004.
Diskutimet e ministeralit dyditor në Bruksel shërbyen për përgatitjet e samitit të NATO-s të vitit 2014 në Londër, ku temë kryesore do të jenë e ardhmja e veprimeve të Aleancës në Afganistan.
Top Channel