Forat e ushtrisë filluan mbrëmjen e së hënës punën për largimin e inerteve të godinës 5-katëshe që u shemb të djelën tek Fakulteti i Ekonomikut në Tiranë.
Operacioni pritet të marrë disa ditë, deri sa e gjithë zona të pastrohet dhe t’i kthehet normalitetit. Gjatë ditës dy persona ishin punësuar nga familja Gjonmarkaj, të cilët mblodhën çfarë mund të konisderohej ende e vlefshme për t’u shitur.
Vetë familjarët vijojnë të qëndrojnë afër rrënojave dhe thonë se edhe pas pastrimit të zonës nuk do të largohen në emër të pronës së tyre. “Unë nuk iki, ta dinë mirë ata. Edhe një ferrë po të ketë mbetur është ferra ime”, tha për Top Channel kryefamiljari Kolë Gjonmarkaj.
Shkatërrimi i godinës nisi fillimisht me një shpërthim të kontrolluar që dëmtoi kolonat, por nuk e rrëzoi ndërtesën. Ndërkohë, mbrëmjen e së dielës aksioni përfundoi me rrënimin e plotë të ndërtesës nga fadromat dhe buldozerët.
Top Channel