Champions, Milan frenon Barçën, fiton Dortmund

22/10/2013 22:50

Ka përfunduar në barazim 1-1, ndeshja më e rëndësishme e ditës së martë, Milan-Barcelona, e vlefshme për raundin e 3-të të ndeshjeve në grupe.

Një Milan, që e nisi me një iluzion pjesën e parë, duke kaluar në avantazh me anë të Robinho-s, teksa ky i fundit kombinoi me brazilianin Kakà, më i miri në fushë për kuqezinjtë gjatë pjesës së parë.

Megjithatë, avantazhi kuqezi nuk zgjati shumë, pasi Barcelona arrin të barazojë shifrat në 1-1 me anë të Messi-t, pas asistit të marrë nga Iniesta. Në 30 minuta vendoset gjithçka në këtë sfidë, sepse në minutat në vijim do të ndryshojnë fytyrat në fushë, por jo rezultati.

Milan merr një pikë të rëndësishme në “San Siro”, pas një prove të mirë edhe në mbrojtje, edhe pse në pjesën e dytë pati edhe rastet më të mira për të siguruar fitoren, por pa ia arritur qëllimit.

Në ndeshjen tjetër me rëndësi të veçantë, atë të luajtur në “Emirates”, Dortmundi ka befasuar “topçinjtë” me gola të shënuara prej Mkhitaryan dhe Lewandowski, nga një në secilën pjesë, ndërkohë që për Arsenalin barazoi përkohësisht Giroud në të parën.

Një rezultat ky që i jep më shumë shpresa Dortmundit, që ndeshjen e kthimit do ta ketë me të njëjtin kundërshtar por në fushën e tij, duke e bërë edhe më të komplikuar çështjen e kualifikimit në grupin me 3 skuadra pretendente: Arsenal-Dortmund-Napoli, secila me nga 6 pikë.

Në dy ndeshjet e tjera të këtyre grupeve, Napoli siguron një fitore me shumë vlera në Francë ndaj Marsejës, teksa shënoi me anë të Callejon, në të parën, dhe Duvan Zapata në të dytën, ndërkohë që marsejezët shkurtuan distancën në fund me anë të Ayew.

Po 2-1 ka fituar edhe Celtic në fushën e tij ndaj Ajax Amsterdam, duke kryesuar fillimisht 2-0 dhe në minutat shtesë holandezët shkurtojnë distancën, por vetëm kaq, edhe pse skocezët kishin mbetur me 10 vetë në minutat e fundit.

Chelsea i Mourinho-s merr një fitore bindëse, 3-0 ndaj Schalke-s në Gjermani, duke mos lënë asgjë në dorë të fatit sa i përket kualifikimit. Tashmë blutë londinezë ngjiten në kuotën e 6 pikëve, po aq sa gjermanët, ndërkohë që për t’u theksuar dopieta e Fernando Torres, i cili po kalon një moment të mirë, teksa golin e 3 e shënoi Eden Hazard.

Bazeli nuk ka mundur të ruajë avantazhin ndaj Steaua Bukureshtit në Rumani, duke pësuar gol në minutat e fundit, e duke mbetur tashmë në vendin e 3 të grupit me 4 pikë.

Gjithçka e lehtë për Atletico Madrid, që mposht 3-0 debutuesit e Austria Vienës në transfertë, pas dopietës së Diego Costa-s dhe një gol të Raul Garcia. Surpriza e ditës është shënuar në Oporto, ku ekipi vendas ka mbetur me 10 lojtarë që në minutën e 6 të takimit, ndërkohë që Zeniti i Spalleti-t ka mundur të shënojë vetëm në fund të tij, me anë të Kerzhakov.

Top Channel