Alonso, në Indi me kaskë speciale

22/10/2013 04:25

Përmes rrjetit social “Twitter”, Fernando Alonso u ka treguar dashamirësve të tij një foto të kaskës speciale, që spanjolli do të mbajë në kokë në garën e radhës për Çmimin e Madh të Indisë.

Bëhet fjalë për një “design” special, që do të prezantohet ditën e martë për të festuar rekordin e pikëve të grumbulluara pas Çmimit të Madh të Japonisë. Falë vendit të 4 në Suzuka, Fernando u bë piloti që kishte grumbulluar më shumë pikë në klasifikimin e të gjitha kohërave, plot 1571, përpara Michael Schumacher (1566) dhe Sebastian Vettel (1351).

Sigurisht, vlen të theksohet edhe ndryshimi disa herë i ndarjes së pikëve në kampionatin e Formula 1, që nga 1950 e deri më sot, kur një fitore vlen 25 pikë për pilotin triumfues, ndryshe nga vitet ’50, kur sistemi i dhënies së pikëve i jepte vetëm 8 pikë fituesit. Dihet se, me kalimin e dekadave, rregullat janë modifikuar progresivisht deri në sistemin aktual, i cili është në fuqi prej vitit 2010.

Për Alonson, sidoqoftë, bëhet fjalë për një rekord vërtet për t’u pasur zili, përveç se një kënaqësie maksimale në aspektin personal. Ferraristi ka dashur të falënderojë 3 skuderitë, për të cilat ka garuar dhe që i kanë dhënë mundësinë e arritjes së këtij rekordi, si Renault, McLaren dhe Ferrari. “Kanë qenë këto 3 skuderi, që më kanë dhënë mundësinë e të qenit piloti me më shumë pikë të grumbulluara në Formula 1”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA