Nga Besnik Gjongecaj – Qeverisja e tetë viteve të shkuara, për të mos u quajtur troç autokratike, u karakterizua si qeverisje e një sistemi hibrid. Për rastin e Shqipërisë, kur thuhet sistem hibrid nënkuptohet bashkekzistenca në raporte të caktuara dhe pavarësisht nga njëri-tjetri të elementëve të të dy sistemeve, atij diktatorial dhe atij demokratik. Një absurd që vështirë të imagjinohet.
Kjo do të thotë që Shqipëria nuk e ka rrëzuar akoma totalitarizmin, pavarësisht se sot nuk ka statuja diktatorësh në rrugë. Kjo do të thotë se ky vend nuk e ka pranuar demokracinë ashtu siç është, jetësore, të gjallë, por të dëmtuar rëndë, të pajetë. Në tetë vitet e shkuara, shqiptarët pranuan një demokraci të gjymtuar deri në masën që e lejon atë të bashkëjetojë me mbeturinat e totalitarizmit apo me autoritarizmin shqiptar të dalë mode. E keqja më e madhe qëndron në atë se në regjimin hibrid shqiptar elementet e totalitarizmit kanë ekzistuar si elemente të përmbajtjes së qeverisjes, ndërsa ato të marra nga sistemet demokratike kanë qenë formale, të dukjes më shumë sesa të përmbajtjes. Është ky shkaku pse në regjimin hibrid shqiptar elementet e sistemit totalitarist të trashëguar janë në dominancë (sundojnë) ndaj elementeve të së njëjtës natyrë të marra nga sistemet demokratike, të cilat, nga ana e tyre, praktikisht, ndodhen në gjendje recesive, të fshehur.
Kjo e ka vënë regjimin hibrid shqiptar në një pozitë më afër sistemeve autokratike se atyre demokratike. Akoma më zi. Në mungesë të reformave të vërteta Shqipëria ka humbur edhe mjetet për të ndryshuar shoqërinë, ka humbur mjetet për shkatërrimin e pjesës totalitare të regjimit hibrid. Në këtë pikëpamje, ideja e Kryeministrit të vendit se Shqipëria rilind me ndryshimin e sistemit është logjike, emergjente dhe në përputhje të plotë me realitetin e gjërave në këtë vend.
* * *
Po çfarë duhet të ndryshohet në sistem? Sigurisht, kjo është çështja! Në thelbin e vet kjo pyetje merr një dhe vetëm një përgjigje: duhet të shkulet pjesa autokratike, pra vetë përmbajtja autokratike e sistemit dhe të zëvendësohet me një përmbajtje demokratike, duke e shndërruar sistemin gradualisht nga hibrid në një sistem me formë dhe përmbajtje që bëhen gjithmonë e më demokratike. Ç’është kjo shkulje, megjithatë? Pastaj, a mund të shkulet e keqja këtij vendi; ajo e keqe e paanë që s’ka lënë institucion pa pushtuar? E gjitha kjo ka një përgjigje shumë të thjeshtë: po, është e pamundur që e keqja e këtij vendi të shkulet, thjesht. Ajo vetëm zëvendësohet. Para se të mendohet për shkuljen e së keqes, në fakt, duhet menduar për atë që do ta zëvendësojë. E gjitha kjo bëhet e qartë vetëm kur shkon në origjinën e formimit të BE-së dhe institucioneve të saj. Në themelimin e BE-së, pra që në Traktatin e Mastrihtit në shkurt të vitit 1992, në nenin e parë të tij shkruhet: “Ky traktat shënon një stad të ri në procesin e krijimit të një bashkimi që kurrë s’ka qenë më afër popujve të Europës dhe ku vendimet merren në mënyrën më të hapur të mundshme (parimi i transparencës) dhe në mënyrën më pranë të mundshme (parimi i subsidiaritetit) ndaj qytetarit”.
Këto dy parime bëhen pjesa më e rëndësishme në procesin e themelimit të BE-së. Ato sanksionohen përfundimisht në takimin e Këshillit Europian në Kopenhagën, 1993, në konkluzionet e të cilit thuhet që: “Këshilli Europian i fton të gjitha institucionet që parimet e subsidiaritetit (subsidiarity principle, ose parimi i ndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël – sh. i autorit), dhe të transparencës (openness principle) të materializohen në të gjitha aspektet e aktivitetit të vendeve pjesëmarrëse, si dhe të jenë plotësisht të zbatueshme në veprimet e përditshme të këtyre institucioneve”. Zbatimi i parimit të subsidiaritetit do të thotë që: së pari, të tria pushtetet në nivel shtetëror duhet të ndahen përfundimisht nga njëri tjetri; së dyti, në çdonjërin prej tyre pushteti i së tërës duhet të fillojë të ndahet nga poshtë, në kuptimin që secilit nivel të së tërës (ekzekutivit p.sh.) duhet t’i lihet aq pushtet sa ç’është i nevojshëm për të zgjidhur problemet që lindin aty ekzaktësisht dhe duke u ngjitur sipër në hierarkinë e sistemit, pjesa e pushtetit të mbetur për t’u ndarë zvogëlohet vazhdimisht; dhe e treta, zbatimi i këtij parimi nuk bëhet vetëm për tri pushtetet në nivel shtetëror, por për çdo institucion të ngritur në këtë vend dhe në këtë rast merr formën checks and balances, ose çka është e njëjta gjë, pushteti ndahet dhe kontrollohet reciprokisht për të mos lejuar akumulimin e tij në një dorë apo në një pjesë të institucionit.
Parimi i transparencës shoqërohet dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe, edhe me zbatimin e parimit të përgjegjshmërisë (accountability), prandaj edhe të ndëshkimit, nëse qeverisja e prodhuar nga institucioni ka Sot, për shkak të politikës së ndjekur, Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në të cilin kërkimi shkencor konsiderohet si rruga më e lehtë, më e shkurtër, më e sigurt, që një i paaftë apo një mashtrues të mund të bëjë një karrierë të suksesshme Sikur të ishte ndërtuar dhe spitali që iu premtua Nënë Terezës, ai vend me të vërtetë do të ishte i bekuar çuar në rezultate korruptive. Vendimet e marra janë publike, po ashtu edhe përgjegjësia është e tillë.
* * *
Sistemi që u ndërtua në tetë vitet e shkuara jo vetëm nuk ka funksionuar sipas këtyre parimeve, por është dizajnuar qëllimisht për të mos i pranuar ato. Ose, kur autoritarët e qeverisjes së shkuar kanë qenë të detyruar për të dizajnuar ndonjë institucion mbi këto parime, ata kanë sajuar gjithmonë një gjë “shqiptare” që e ka penguar institucionin të funksionojë si demokratik. Ka me qindra shembuj se si vetë sistemi është bërë shkak për fundosjen e Shqipërisë në pusin e autokratizmit. Kështu, liberalizimi i hyrjes në universitete është një politikë që e ndjekin qeveritë e vendeve demokratike.
Me anë të kësaj politike qeverisëse ata synojnë të përgatisin rininë për demokraci, por pa neglizhuar rritjen e efektivitet të sistemit të arsimit të lartë. Këto synime arrihen vetëm kur kjo politikë nuk i dobëson, por i forcon më tej universitetet si institucione dhe e gjitha kjo ndodh vetëm kur rritja e numrit të studentëve shoqërohet me rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe laboratorike të universiteteve dhe mbi të gjitha, me forcimin e integritetit të universitarëve. Masivizimi i hyrjeve në arsimin e lartë në Shqipëri i shërbeu të kundërtës. Qeveria e larguar e zbatoi politikën e masivizimit pa e përputhur me rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe materiale, si dhe pa e shoqëruar me një akreditim real të institucioneve të arsimit të lartë, gjë që solli, para së gjithash, plasaritjen, shpërbërjen, bërjen copë e çikë të integritetit të universitarëve.
E gjitha kjo solli menjëherë edhe një rrënim katastrofik të universiteteve si institucione, të cilët kështu të rrënuar, jo vetëm që çuan në një efektivitet pothuajse zero të sistemit universitar, jo vetëm që nuk përgatitën dhe nuk po përgatisin rininë për demokraci, por përkundrazi, si të tilla, të shkatërruara në themel, institucionet e arsimit të lartë helmuan ndërgjegjen e universitarëve, i shndërruan ata, studentë e profesorë, nga promovues të lirisë, të standardeve dhe të mendimit të pavarur, në hallexhinj, në blerës diplomash, titujsh, gradash; në përfitues postesh, rrogash; në numra që nuk kanë fytyrë, nuk kanë profil publik, nuk kanë zë, që zvarriten, që zvarritin të tjerët. Sistemi, për shkak të një politike qeverisëse kriminale (sepse është shumë pak për t’i thënë e gabuar), funksionoi në të kundërtën.
Në vend të qytetarëve të lirë ai prodhoi kopje psikosociale individësh pa personalitet, të marrë fund. Individë që nuk do të ngriheshin kurrë një ditë për të ndëshkuar autorët shpirtkazmë të shkatërrimit të universiteteve. Zgjedhjet në universitete u paraqitën si një politikë qeverisëse perëndimore, sepse imitonin formën përmes së cilës përcaktohen autoritetet dhe organet universitare. Por, zbatuar në kushtet e një regjimi politik autoritarist, në kushtet e sundimit politik të universiteteve, madje akoma më zi, në kushtet e një integriteti të dyshimtë të vetë institucioneve dhe të një pjese goxha të madhe, gati të frikshme, universitarësh, zgjedhjet në universitete prodhuan një rezultat të kundërt me atë që prodhohet kur zgjedhjet bëhen në një universitet perëndimor. Ato u shndërruan në një mekanizëm perfekt për të nxjerrë në krye të paaftët, të korruptuarit dhe për t’i vënë institucionet e arsimit të lartë, vetë sistemin, nën sundimin afatgjatë të tyre.
Ringjallja e ish-sistemit lindor të arsimit të lartë përmes thellimit të procesit të krijimit të universiteteve të specializuara, pra të universiteteve që mbulojnë një fushë specifike të dijes, ka çuar në një prapambetje të thellë në sistemin universitar. Me gjithë paralajmërimet e bëra, duke themeluar Universitetin e Mjekësisë dhe duke e ndarë atë nga Universiteti i Tiranës, autoritarët që ikën bënë edhe aktin e fundit rrënues për të treguar se sa pak e duan këtë vend, se sa pak janë të interesuar për plotësimin e standardeve. Edhe sistemi i Enver Hoxhës nuk kishte shkuar kaq larg në procesin e shëmtimit alla lindor të sistemit të arsimit të lartë të këtij vendi. Thellimi i procesit të ndërtimit të sistemit universitar me universitete të specializuar, me universitete që nuk universalizohen, por shkojnë drejt specializimit, e ka shkatërruar përfundimisht tregun universitar të këtij vendi, sepse ka vënë përballë universitete që nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin, pasi secili prej tyre mbulon një fushë specifike të dijes që nuk e mbulon tjetri. U krijua një formë tjetër monopoli, jo në fushën ekonomike, por në fushën e dijes.
Po aq penguese ndaj zhvillimit sa edhe monopolet në ekonomi, megjithatë. Integrimi i mësimit me shkencën si një politikë qeverisëse esenciale për sistemin universitar, shërbeu për degjenerimin e tij në mënyrën më të dhimbshme, më të paparashikueshme. Studiuesit e sistemit të kërkimit shkencor jashtë atij universitar, ose u lanë rrugëve ose iu vunë kushte poshtëruese kur u përfshinë brenda universiteteve. Politika e ndjekur në këtë proces jo vetëm që e shpërbeu klasën e studiuesve shqiptarë, por mbi të gjitha zeroi integritetin e studiuesit. Për t’i mbrojtur universitetet nga ndikimi i politikës, çdo vend demokratik ndjek politikën e ndërtimit të një sistemi strukturash të ndërmjetme, buferike, të cilat vendosen midis dhe nuk i përkasin as qeverisë dhe as universiteteve, por që, të lira nga të dyja anët, ato mund të ndërtojnë politika zhvillimore ndaj universiteteve pa pasur frikë se do të përcjellin interesin e politikës së ditës dhe politika kontrolluese ndaj universiteteve pa rrezikun e komprometimit prej tyre. Edhe ata që ikën e bënë këtë gjë, por sipas mënyrës së tyre: barbarizmit.
Strukturat ndërmjetëse si Këshilli Kombëtar i Arsimit të Lartë, Agjencia dhe Këshilli i Akreditimit, Komisioni i Vlerësimit të Titujve (ky gjynahqar i madh i dhënies së titujve të pamerituar), u projektuan të udhëhequra e varura direkt nga politika dhe deri në fund shërbyen për institucionalizimin e sundimit të politikës në universitete. Duke u vetëgjymtuar si institucione. Si të tilla, të gjymtuara, duke nxjerrë jashtë standardeve jo vetëm universitetet, por edhe universitarët.
Top Channel