Roma, start perfekt, skarcon Napolin

18/10/2013 23:30

Vazhdon marshimi triumfues i Romës në krye të kampionatit italian. Në ndeshjen e parë të javës së 8 të Serie A, verdhekuqtë mposhtin 2-0 Napolin në “Olimpico” dhe shkëputen me 5 pikë ndaj skuadrës së Benitez, që ndodhet në vendin e dytë së bashku me Juven, por kjo me një ndeshje më pak.

Napoli “frikëson” dy herë De Sanctis, me Pandev dhe Insigne, por Pjanic zhbllokon rezultatin në sekondat e fundit të pjesës së parë. Në të dytën është sërish boshnjaku, ai që shfrytëzon një tjetër mundësi për gol, këtë herë nga 11-metërshi, pas ndërhyrjes së gabuar të Cannavaro-s ndaj Borriello-s. Mbrojtësi i Napolit ndëshkohet edhe me karton të kuq.

Mjaftojnë këto prova të rëndësishme, ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë, për ta përshkruar si fenomenal këtë fillim sezoni nga Roma. Ndeshjet në “San Siro” ndaj Interit dhe në “Olimpico” ndaj Napolit konfirmojnë se verdhekuqtë meritojnë titullin e parakohshëm si “skuadra zbulim e sezonit”, por hedhin bindshëm edhe kandidaturën për të fituar titullin kampion.

Kjo, pasi në 8 ndeshje, të fituara të gjitha, dhe një golavarazh 22-1, ka treguar edhe një nivel të lartë loje, duke ditur të reagojë edhe në momente decizive të ndeshjeve, madje edhe kur momentin e saj të mirë mendohej se do ta ndalte ky pushim 15 ditorsh, gjatë së cilës luajtën ekipet kombëtare.

Napoli ndjek kështu me 5 pikë kryesuesit, teksa rrezikon të humbasë edhe vendin e dytë, pasi Juventus do të luajë në Firence ndaj Fiorentinës ditën e diel.

Top Channel