Kur konsensusi ngatërrohet me pazarin

17/10/2013 00:00

Andrea Stefani – Politikanët shqiptarë flasin shumë për konsensusin por, përgjithësisht, nuk e dinë fare se çfarë është.Dhe prandaj e ngatërrojnë me pazarin. Një ngatërrim që po e shohim të
përsëritet tani që opozita, Basha dhe Berisha, po mallkojnë shumicën
duke e akuzuar se “ka vrarë konsensusin”.

Akuza ka marrë shkas nga vendimi i qeverisë “Rama” për të shtyrë, me anë të një akti administrativ, hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Nuk është fare e vështirë të kuptosh se në qarjet e opozitës së sotme nuk ka fare dhimbje për konsensusin e “vrarë”. Sepse lidershipi i saj digjet nga dëshira për ashpërsimin e klimës politike. Prandaj dhe lotët “vrasja e konsensusit” nga qeveria “Rama”, janë vetëm, alibia për konfliktin që mezi e pret. Është diçka tjetër për të cilën Bashës dhe Berishës ju vjen vërtet keq. Ju vjen keq për prishjen e një pazari të kalkuluar mirë prej Berishës por të votuar nga opozita e djeshme socialiste nën presion por edhe me neglizhencë për pasojat që shfaqen sot.

***

Nuk mund të ketë konsensus politik aty ku nuk ka dy palë që, pavarësisht nga diferenca në mjetet dhe rrugët e arritjes së një qëllimi, bien dakord për vetë qëllimin. Edhe në rastin e ligjit për nëpunësin civil, konsensusi kërkon si premisë të domosdoshme që dy kampet politike të bashkohen në qëllimin për të krijuar një administratë të shtetit që duhet të jetë e pavarur nga qeveritë dhe e padhunueshme prej tyre. Është fakt, evident dhe vështirë i kundërshtueshëm, që të gjitha qeveritë e derisotme, të majta e të djathta, nuk i janë përmbajtur këtij qëllimi. Administrata publike është dhunuar, abuzuar pas çdo ndërrimi pushteti. Nëpunësit janë hequr nga puna me pretekste qesharake dhe në dhunim të së drejtës, për t’u zëvendësuar me militantë apo për të tregtuar me çmime të majme postet publike të financuara nga taksapaguesit e varfër shqiptarë. Në vazhdim dhunimi i kryer nga qeveria paraardhëse është përdorur nga qeveria pasardhëse si një justifikim për të përligjur, edhe ajo, dhunën mbi administratën. Është një proces i pandërprerë nga rotacioni në rotacion që, si reaksion zinxhir bërthamor, ka dy dekada që vazhdon të rrënojë administratën publike duke shfarosur burokracinë e profesionistëve aq jetike për një shtet normal.

***

Partia Demokratike dhe qeveria e deridjeshme nuk bënë fare përjashtim nga kjo skemë rrënuese. Tashmë janë bërë publike shifrat alarmante të largimit nga puna të nëpunësve publikë nga qeveritë e Berishës në dy mandatet e saj të kaluar. Mijëra njerëz janë larguar paligjshmërisht nga puna duke e ngarkuar buxhetin me miliona detyrime për t’u paguar ndërkohë që janë zëvendësuar me mijëra militantë të PD ose të tjerë njerëz që i kanë blerë me ryshfete këto poste. Dhe pasi realizoi këtë masakër në administratën publike, Berisha ishte shumë i qartë në strategjinë e tij kur propozonte miratimin e ligjit për nëpunësin civil: donte që t’i betononte me ligj rrjedhojat e kësaj masakre, militantët e paaftë dhe të infiltruar në administratë me anë të dhunës e padrejtësisë, t’i konvertonte në nëpunës publikë të mbrojtur nga ligji. Miratimi me urgjencë i ligjit për nëpunësin civil u ekspozua si një kusht për marrjen po me urgjencë të statusit të kandidatit. Me këto pretendime absurde bashkuan zëra edhe disa diplomatë perëndimorë. Opozita e djeshme u detyrua të japë “konsensusin” për ligjin mbi nëpunësin civil, edhe pse mund të kishte shumë vërejtje për të. Opozita e majtë u detyrua të bëhej pjesë e një pazari që të mos akuzohej si sabotuese e integrimit ndërsa pushteti berishist e nxiti këtë pazar, me dëshirën që masakrën në administratë ta sanksiononte me ligj.

***

Nëse Berisha do kish fituar përsëri, puna do qe fare e thjeshtë. Ligji do përjetësonte një administratë të mbushur me militantë të partisë së tij. Dhe kuptohet, nuk do kishte më fare largime nga puna për shkaqe politike! Farsa e shtetit ligjor do triumfonte duke u bërë maskë e shtetit antiligjor! Për fat të keq të Berishës e K°, shqiptarët e kundërvotuan masivisht qeverinë duke realizuar një rotacion historik. Tashmë në pushtet ka ardhur një shumicë që nuk mund të pranojë situatën absurde që ligji të mbrojë padrejtësitë dhe abuzimin ekstrem që është bërë në administratën publike nga shumica paraardhëse. Dhe për të ecur drejt realizmit të një administrate publike realisht profesionale, të pavarur, asaj i duhet të shkelë mbi pazarin“konsensual” për ligjin e nëpunësit civil. Ky është interpretimi politik i problemit. Ndërkaq ka edhe argumente teknike. Hyrja në fuqi e ligjit për nëpunësin civil duhet shtyrë nga që është praktikisht i pazbatueshëm, nga që nuk janë përgatitur aktet nënligjore të nevojshme për një gjë të tillë. Janë akte që kanë të bëjnë me krijimin e institucioneve që do monitorojnë nëse rekrutimet në administratën publike, por edhe përjashtimet nga ajo, bëhen në përputhje me meritokracinë dhe të drejtën të padeformuara nga interesa partiake apo korruptive. Në mënyrë që zbatimi i ligjit për nëpunësit civilë të shërbejë si një start i ri ku secili të marrë atë që i takon.

***

Nëse opozita heq dorë nga qëllimi i saj për të betonuar me ligj padrejtësitë që ka kryer sa kohë ishte qeveri, nëse i vë vetes qëllim për krijimin më në fund në Shqipëri të një administrate të askujt por të të gjithëve pra, të publikut, atëherë konsensusi është i mundur. Pra që të mundësohet konsensusi duhet të prishet pazari. Pikërisht ai pazar që Basha dhe Berisha e shesin sot për “konsensus”. Por mos vallë fakti që opozita e djeshme e votoi ligjin bashkë me dispozitën që ai të hynte në fuqi më 1 tetor, ende pa përgatitur aktet nënligjore, e pamundëson atë për të korrigjuar këtë si një gabim? Nuk është e para herë, dhe as e fundit, që një Parlament merr një vendim të gabuar. Ka pasur edhe gabime më të rënda se ky. Një i tillë është amendimi i Kushtetutës në vitin 2008. Mos vallë Shqipëria duhet të pranojë rrënimin e ndarjes së pushteteve që sollën këto amendime, vetëm sepse ndryshimi autokratik (edhe në procedurë edhe në përmbajtje) u bë me konsensusin e të dy palëve? Mos vallë për hatër të respektimit të një konsensusi të ulët (në fakt pazari), Shqipëria duhet të pranojë cenimin e parimeve të shenjta të ndarjes dhe balancimit të pushteteve pa të cilat nuk mund të ketë liri dhe demokraci? Ato amendime duhet të korrigjohen qoftë edhe duke shkelur mbi “konsensusin historik” të prillit 2008. Dhe po në emër të një administrate vërtet publike, duhet të hidhet poshtë pazari i djeshëm për ligjin e administratës publike. Nëse opozita e sotme i bashkohet këtij qëllimi, atëherë mund të ketë konsensus real. Nëse ajo do këmbëngulë që në emër “të konsensusit” të rremë, domethënë pazarit, të përjetësojë padrejtësitë e qeverisë së djeshme, qeveria dhe shumica e sotme kanë të gjithë të drejtën që të ecin me vullnetin dhe votat e tyre, drejt një opsioni që spastron administratën nga padrejtësitë dhe paaftësia e djeshme, por pa kryer një padrejtësi të re.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA