Venizellos dhe sfida e “zero problemeve me fqinjët”

14/10/2013 00:00

Skender Minxhozi – Politika “asnjë problem me fqinjët” e qeverisë së re
shqiptare do të jetë sot në një bankëprovë të parë, teksa në Tiranë do
të zbresë numri dy i qeverisë greke dhe ministri i Jashtëm, Evangelos
Venizellos. Një vizitë e pritur prej kohësh dhe mjaft delikate për të
testuar temperaturën reale të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë
pas 23 qershorit.

Si rrallëherë në situata të ngjashme, Venizellos vjen në Shqipëri pasi këtu kanë qenë para tij ministrat e Jashtëm të Turqisë e Italisë. Një renditje e cila pasqyron de facto shkallën e marrëdhënieve që qeverisësit e rinj në Tiranë po ndërtojnë këto kohë me vendet fqinje. Nga vizitat e Davutoglu dhe Boninos pak ditë më parë, mbeti pas një listë e gjatë me fjalë të mira e angazhime të ndërsjella, që vështirë të dëgjohen sot në Tiranë, pas takimeve që Venizellos do të ketë me zyrtarët më të lartë të vendit. Për shembull, duket e pakonceptueshme që Rama dhe Venizellos të shprehen për mbledhje të përbashkëta të dy kabineteve qeveritare, apo për angazhimin e këshilltarëve grekë pranë qeverisë tonë, siç u tha për këshilltarët turq.

Arsyet e këtij ndryshimi, nëse do të bënim për një çast një krahasim të sforcuar mes dy fqinjëve tanë në momentin aktual, qëndrojnë më së pari në faktin që në ndryshim nga Ankaraja, Tirana ka probleme të hapura, të vjetra dhe të reja, me Athinën. Nuk është vetëm pakti detar, por janë një listë e tërë çështjesh të lehta apo të vështira për t’u zgjidhur. Çështja çame, Kisha, minoritetet, censusi, memorialet ushtarake, pa harruar ligjin e luftës ende në fuqi, si dhe më në përgjithësi pesha specifike që faktori grek ka në qeverisjen politike në Tiranë, janë të gjithë faktorë që sjellin ndryshime direkte në klimën e marrëdhënieve dypalëshe.

Një javë më parë, në një shesh publik të Selanikut u përurua një pllakë që i dedikohej qytetit të Durrësit. Dy kryebashkiakët, të pranishëm në këtë eveniment, nuk e patën të lehtë ta çojnë deri në fund ceremoninë, për shkak të protestave që tentuan ta sabotojnë atë. Vetëm pak orë më parë, një dorë e panjohur ka lyer me bojë mbishkrimin shqip të pllakës dhe emrin “Shqipëri”. Përtej simbolikës negative të këtij gjesti, në Greqinë e sotme të dominuar nga erërat e një nacionalizmi me trajta gjithnjë e më tepër ekstreme, përzier me depresionin e tmerrshëm të krizës financiare, është bërë gjithnjë e më e vështirë të konceptohet një fqinjësi normale dhe korrekte. Sidomos me vende si Shqipëria dhe Maqedonia, të cilat një pjesë e shoqërisë dhe politikës greke i sheh më shumë si armiq, sesa si fqinj. Akti i Selanikut pasqyron drejtpërdrejt nivelin shqetësues të mostolerancës që ka prekur sot marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat edhe më parë kanë qenë problematike, pro ndoshta jo sa sot, kur Greqia përshkohet nga një situatë që nxit ksenofobinë, frymën përjashtuese dhe nacionalizmat arkaike të të gjitha rrymave e frymëzimeve.

Këtë situatë aspak komode duhet të përpiqen ta evitojnë duke nisur prej sot, dy qeveritë në Tiranë dhe Athinë. Rama dhe Venizellos do të kenë mundësinë e radhës, që të shqyrtojnë se cilat janë mënyrat për të sjellë më shumë realizëm dhe paqe në marrëdhëniet e trazuara dypalëshe, duke përfshirë edhe tema të tilla të nxehta si pakti detar apo episodet që kanë përfshirë kishën ortodokse shqiptare. Më tej akoma, dy delegacionet do të kenë rast të testojnë përballë njëri-tjetrit, se cila do të jetë gjuha e komunikimit mes Tiranës e Athinës pasi në kryeqytetin shqiptar ka ndryshuar, pas shumë vitesh, përfaqësimi politik.

Në tetë vjetët e shkuara, është ndërtuar një dinamikë marrëdhëniesh me Greqinë, e cila e kishte bërë zakon të mos kundërshtonte (të paktën formalisht) asnjë nga kërkesat e palës greke, që normalisht do të meritonin shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri në vendimmarrje. Prej vitit 2005, grekët i avancuan kërkesat e tyre, duke arritur të marrin shkollat private, varrezat ushtarake, paktin detar dhe një prezencë të përhershme në ekzekutivin shqiptar në rang anëtari qeverie, e cila sot nuk është më. Nëse do të shohësh deklaratat e mëparshme të fituesve të qeverisësve të rinj në Tiranë, do të jetë e vështirë që kjo linjë e mbrojtur nga qeveritë e djathta në periudhën 2005-2013, të vijojë edhe më tej si e tillë. Pritshmëria rritet kur këtë rrethanë të re e vendos përballë ambicies së kryeministrit Rama për të ndjekur politikën e “zero problemeve” me fqinjët. Greqia u përcaktua si një “partner strategjik” edhe nga qeveria e re. I njëjti përcaktim që iu rezervua edhe Italisë e Turqisë. Të shohim nëse sot, në kryeqytetin shqiptar, do të jenë përballë dy partnerë strategjikë, apo dy fqinj rivalë që s’i hapin rrugë njëri-tjetrit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA