“Brazil 2014”, Gjermani-Belgjikë në botëror

12/10/2013 00:00

Një tjetër emër i madh i futbollit botëror siguron pjesëmarrjen në “Brazil 2014”. Gjermania e Joackim Low triumfon 3-0 ndaj Irlandës së Trapattoni-t, duke siguruar vendin e parë në grupin C dhe duke prerë kështu biletën për në Rio de Janeiro.

Gjithçka e lehtë për Gjermaninë, të cilës i duhej suksesi i radhës për të siguruar matematikisht kualifikimin dhe ia arriti qëllimit. Në “RheinEnergie Stadion”, “panzerat” gjermanë fshikullojnë 3-0 Republikën e Irlandës, falë golave të Khedira, Schurrle dhe Ozil.

Në grupin C, Suedia siguron vendin e dytë dhe do të luajë ndeshjet “play-off” për të shpresuar më tej, pasi mposhtën 2-1 Austrinë në “Solna” me përmbysje rezultati. Për suedezët mendon Ibrahimovic, i cili fillimisht jep asist për Olsson (ky barazoi golin e Harnik) e më pas vendos i vetëm sfidën decizive.

Një tjetër pjesëmarrëse e sigurt në botëror do të jetë edhe Zvicra, që pas fitores 2-1 në “Qemal Stafa” ndaj Shqipërisë, shkëputet me 5 pikë në krye të grupit, kur ka mbetur për t’u luajtur edhe 1 ndeshje.

Kanë “prenotuar avionin” gjithashtu edhe Rusia e Capello-s, me “pokerin” ndaj Luksemburgut, dhe Anglia e Hodgson, që mposhti 4-1 Malin e Zi, një ekip që i kishte hapur probleme gjatë eliminatoreve të fundit. Gjithsesi, për vendet e para, këtyre dy ekipeve do t’u duhen fitoret në dy sfidat e fundit kundër Azerbajxhanit dhe Polonisë.

Për Rusinë, që tashmë ka një distancë prej 3 pikësh me portugezët, do t’u nevojitet të paktën 1 pikë në transfertën azere, ose të shpresojnë që Portugalia të mos fitojë ndaj Luksemburgut në shtëpinë e tyre. Një hap fals për Portugalinë në këtë raund, ku ndalet në barazim 1-1 nga Izraeli, duke qenë thuajse e dorëzuar përpara ekipit të Capello-s dhe me shumë mundësi do të luajnë në “play-off” për të kërkuar biletën drejt “Brazil 2014”.

Edhe fati i “Tre luanëve” të Hodgson do të vendoset në raundin e fundit të ndeshjeve, të martën e ardhshme kundër Polonisë, pasi Ukraina ndjekëse është 1 pikë pas, por rival të fundit do të ketë San Marinon. Në “Wembley”, anglezët zhbllokojnë rezultatin me Rooney, më pas autogol i Boskovic, ngushton distancën Damjanovic për malazezët, e në fund thellojnë “siluri” i Townsend dhe penalltia e Sturridge.

Belgjika siguron edhe matematikisht kualifikimin për në fazën finale të botërorit, verën e ardhshme. Festa për belgët erdhi në Zagreb, ndaj rivalit më të fortë të grupit, ku skuadra e drejtuar nga Marc Wilmots i imponohet Kroacisë 2-1, falë një dopiete të shkëlqyer të Romelu Lukaku.

Në grupin A, belgët janë me 8 pikë avantazh ndaj kroatëve, të cilët do të duhet të bëjnë llogaritë për ndeshjet “play-off”, nëse do të duan të përfaqësohen në botërorin e Brazilit. Për Kroacinë shënoi Kranjcar, një gol i pamjaftueshëm për t’i mohuar Belgjikës rikthimin në një botëror pas plot 12 vjetësh, kur u eliminua në 1/8-at e finaleve nga Brazili, në Kore dhe Japoni 2002.

Barazim befasues mes Danimarkës dhe Italisë në Kopenhagen, ku axurrët e drejtuar nga Prandelli kanë arritur të barazojnë vetëm në minutën e 2-të shtesë, me anë të Aquilani-t. Më herët, ish-lojtari i Juventusit, Nicklas Bendtner, kishte shënuar një dopietë për skuadrën e Olsen, duke përmbysur përkohësisht avantazhin e italianëve të sigluar nga Osvaldo.

Për të kaltrit, të cilët e kishin siguruar kualifikimin në botëror, kjo është një pikë, që nuk i dhuron sigurinë për t’u futur mes 8 ‘kokave të serive’ në shortin që do të hidhet për “Brazil 2014”.

Në grupin B, Armenia mposhti Bullgarinë 2-1, falë golit të Movsisyan në të 87-tën, edhe pse bullgarët kishin përfunduar me 9 lojtarë, pas kartonave të kuq për Bodurov dhe Dyakov. Një rezultat që “lumturon” edhe Francën, e cila falë rezultateve të grupeve të ndryshme siguron minimumin një vend në “play-off”.

Edhe Çekia fiton ndaj Maltën 4-1. Ishujt Faroe barazojnë me Kazakistanin 1-1, ndërsa Lituania fiton ndaj Letonisë 2-0. Moldavia mposht 3-0 San Marinon, kurse Azerbajxhani triumfon në shtëpi ndaj Irlandës së Veriut 2-0.

Dejan Stankovic përshëndet botën e futbollit me një fitore. Ish-mesfushori i Lacios dhe Interit, edhe pse luajtur vetëm 10 minutat e para të lojës, ishte protagonist i miqësores mes Serbisë dhe Japonisë, që përfundoi 2-0 për kombëtaren e drejtuar nga Sinisa Mihajlovic.

Top Channel