Vepra e plotë e Ali Podrimës

11/10/2013 01:35

Poeti i ndjerë, Ali Podrimja, i cilësuar si një prej penave të arta të letërsisë shqipe, është përkujtuar në një event të organizuar nga Ministria e Kulturës, së bashku me Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës.

“Jemi bashkë për të kujtuar poetin, të gjallë mes nesh me fjalën e tij, Ali Podrimën dhe poezinë e tij, i cili ndërroi udhë në një ditë të fjalës poetike të Mesdheut, duke qenë i bindur dhe duke iu bindur thirrjes së atij festivali, ku mbeti e nuk u kthye. Njerëzit lidhen me fjalë, me tinguj dhe poezi”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës.

Vepra e plotë e Podrimës, e botuar gjatë krijimtarisë së tij mbi 50-vjeçare është përmbledhur në një kolanë prej 9 librash, të promovuar në eventin kushtuar poetit, i cili u nda nga jeta 15 muaj më parë.

“Çdo takim me poezinë e Ali Podrimës, të ngjall ndjesi se je në shoqërim me atë që është përjetësi e shenjtë e qenies, e truallit, e etnisë. Shfaqja e fuqishme e talentit poetik të tij, gjysmë shekulli më parë, e nxit dhe i dha shtysë modernizmit në poezinë shqipe drejt lashtësisë dhe rrënjëve, drejt nyjeve tona të qëndresës ndër shekuj”, tha Ali Aliu, akademik.

Të pranishëm kanë qenë shumë personalitete të kulturës dhe artit, akademikë si dhe dashamirës të veprës së shkrimtarit nga Kosova. Pas vdekjes në rrethana të panjohura, trupi i pajetë i Podrimës u gjend në Francë, ku autori ishte i ftuar në një festival të poezisë mesdhetare, në korrik të vitit 2012.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA