Parku i Vilave në Pogradec nuk ka mundur t’i shpëtojë shkatërrimit. Pemët e shelgut dhe të blirit, të cilat ishin një prej elementëve më të spikatur të këtij parku, janë prerë, duke zhdukur një prej pjesëve më të veçanta sa i takon gjelbërimit në këtë qytet.

1500 m2 të gjelbëruara prej vitesh janë prerë brenda një nate, ndërsa në vend janë lënë trungjet e atij që konsiderohej park. Kreu i Bashkisë së Pogradecit e ka deklaruar këtë si rastin e dytë, që çon drejt një katastrofe ekologjike qytetin e Pogradecit, ndërsa sipas tij kthimi i këtij parku në një shesh ndërtimi në të ardhmen mbetet shqetësimi më i madh.

Nga ana e saj, policia e Pogradecit ka verifikuar situatën dhe ka nisur procedimin penal ndaj përfaqësueses së pronarëve të kësaj sipërfaqe, Teuta Shehu, duke ngritur ndaj saj akuzën e prerjes së paligjshme të pyjeve dhe pemëve dekorative.

Top Channel