Auditi dhe “ajsbergu” i krizës financiare

11/10/2013 00:00

ALEKSANDËR ÇIPA – Konferencën më të gjatë për shtyp para gazetarëve këtë
javë e ka dhënë ish-ministri i Financave, zoti Ridvan Bode.

Ministri-antikrizë i financave shqiptare, madje ndër më jetëgjatët në historinë e financave të shtetit shqiptar, vazhdon rolin e vet edhe pasi e ka dorëzuar detyrën. Qeveria së cilës i përkiste ka rënë dhe pasardhësja ka nisur të negociojë kontraktimin me një kompani ndërkombëtare auditimesh. Deloitte është kompania që tashmë e ka fituar këtë kontratë për të audituar jo vetëm financat e deritanishme të shtetit, por në përgjithësi të të gjitha ministrive që drejtoheshin nga anëtarët e kabinetit “Berisha”. Në këtë kontekst, dalja në intervistë e ish-ministrit Bode, më shumë se këmbënguljen për antikrizën e dëshmuar gjatë qeverisjes së tij, kishte për qëllim vijimin e propagandës për lënien e qeverisjes në ditë të mbara, madje të shëndetshme financiarisht.

Mirëpo përballja mohuese e pohuese për krizën financiare në vend mes kabinetit të shkuar “Berisha” dhe këtij të instaluar “Rama”, ka gjasa të ketë ende një kapitull të gjatë. Është arsye e plotë për një debat dhe polemikë jo vetëm politike, por që logjikisht pas procesit të auditimit dhe transparencës, të vijojë një proces i përballjes politike dhe natyrisht edhe veprimit të drejtësisë për të evidentuar dhe për të ndarë përgjegjësitë e posaçme.

Polemikat për situatën dhe gjendjen reale të financave dhe buxhetit të shtetit në vend, në vetvete mbartin të njohurat e deklarueshme, të pathënat dhe natyrisht edhe të thënat e ekzagjeruara. Qeveria aktuale, madje edhe përmes vetë kryeministrit Rama, ka akuzuar trashëgiminë e një “buxheti të zbrazur”. Në vijim të këtij denoncimi publik, kryeministri Rama ka shpejtuar procesin e negocimit me auditorin ndërkombëtar. Ndërkaq, ish-qeveria ka reaguar fuqimisht edhe me zërin e ish-ministrit dhe të ish-kryeministrit dhe të kreut zyrtar të opozitës, se kanë lënë në dorëzim një gjendje, të cilën “po e tradhton dhe e përdor për korrupsion dhe dështim” kryeministri Rama. Kjo polemikë nuk është thjesht politike. Kjo polemikë ka një paskuintë të rrezikshme për vendin, financat dhe sistemin financiar e atë bankar dhe natyrisht edhe për efektivitetin e institucioneve të vendit. Gjendja faktike, sipas shumë zërave, është ajo e paralizimit të financave në nivelet e qeverisjes lokale. Kryetarët e bashkive dhe komunave në vend pëshpëritin në gjithë takimet krizën e rëndë financiare, mosdhënien e pagave mujore dhe natyrisht edhe stivosjen e faturave për subjekte dhe firma private vendore. Sikundër nga Ministria e Financave është deklaruar vetëm vënia në veprim ekzekutimi e shumë faturave të mbartura dhe emergjente për funksionimin e disa sektorëve dhe shumë shërbimeve jetike. Në këto kushte procesi i auditimit ndërkombëtar ka nevojë të bashkëshoqërohet me procesin e deklarimit të një pasqyre reale ditore dhe periodike për lëvrimet në thesar të shtetit dhe sidomos për zhbllokim të financave dhe llogarive më emergjente.

Shifrat e mbrojtura dhe të publikuara në kaq plotësi vetëm në intervistën postministrore të tij, nga zoti Bode dhe sidomos momentin kur ai dhe ish-zëvendësi i tij deklarohen se borxhi nga 16 miliardë, nga qeveria “Rama” do të thellohet në 24 miliardë, janë pjesë e një regjie që kërkon sa mjegullimin e përgjegjësisë, aq edhe shumëfishimin e ilaritetit politik. Kjo çështje është më shumë se politike, pjesë e realitetit të sotëm dhe atij të ardhëm ekonomik e financiar në vend. Për këtë arsye, dalja dhe përgjigjet e gjata të ish-ministrit Bode kanë befasuar, pasi ishin një detyrim në kohë të vonuar. Ministri i Financave konsiderohet më pak i shfaquri në gjithë kohën kur në rajon u pranua dhe u shpall kriza financiare dhe efektet e saj të pashmangshme mbi ekonominë dhe financat shqiptare. Diskutimet shpesh hermetike për thellimin e borxhit dhe akuzat e ish-opozitës, e shtonin mjegullën dhe natyrisht evitonin pasjen e një perceptimi të drejtë dhe real prej publikut dhe mediave. Praktika e hermetizmit informues në këtë fushë dhe sidomos problemet për njohjen dhe publikimin e statistikave reale si dhe të gjendjes faktike në thesar, skepticizmi në shtim pas daljeve të shpeshtuara të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Fullani dhe bindshmëria pa takt e sqimë e tij ndaj retorikës politike të ish-kryeministrit, të shtyjnë sot në drojën e pranimit të një gjendjeje që mbart të papritura të afërta dhe të pashmangshme. Për këtë arsye, ekspertët e financave dhe sidomos sistemit bankar në vend, nuk ka pse të mbesin në heshtjen paramortale, por të inkurajojnë balancimin e të vërtetave që formësojnë një dijeni reale dhe të padeformuar për realitetin dhe të vërtetat e tij. Auditi ndërkombëtar i kërkuar nga qeveria e re dhe i kontraktuar prej saj, nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht një alibi përfitimi nga qeverisësit, as nuk mund të përdoret për projekt të një afere të mundshme siç këmbëngul opozita përmes liderit të ri dhe udhëheqësve të vjetër.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA