Zvicra kërkon 3 pikët në Tiranë

10/10/2013 00:00

Para ndeshjes Shqipëri-Zvicër, trajneri i helvetëve Ottmar Hitzfeld, thotë se ka ardhur në Tiranë për të marrë 3 pikë dhe jo për të bërë llogaritë për kualifikimin në Botërorin e vitit 2014.

Zvicrës do i mjaftonte vetëm 1 pikë për t’u kualifikuar, por Hitzfeld nuk ka ndërmend të merret me spekulime.

“Ne do të luajmë për të fituar këtë takim dhe për të siguruar kualifikimin. Do të jetë një ndeshje e veçantë pasi në skuadrën tonë kemi 6 futbollistë me prejardhje nga Shqipëria, por gjithsesi mbetet një ndeshje futbolli. Do të ketë duartrokitje dhe vërshëllima për ta, por vërshëllimat do i motivojnë më shumë lojtarët e mi. Kryesorja është të tregojmë solidaritet dhe kompaktësi në fushën e lojës”, shprehet trajneri gjerman.

Ndërkohë, sa i përket lojtarëve shqiptarë, askush nuk është dukur në korridoret e hotelit ku është grumbulluar përfaqësuesja zvicerane. Ashtu siç ishte paralajmëruar, ata po mbahen sa më larg mediave shqiptare për të mos pasur probleme keqinterpretimesh dhe presioni.

Top Channel