Vettel: Nuk dominoj si Schumacher

10/10/2013 00:00

Sebastian Vettelit nuk i pëlqen aspak kur i kujtojnë se Red Bulli është makina më e mirë aktualisht në Formulën 1 dhe se dominimi i tij është meritë e njëvendëshes.

Në konferencën e shtypit të FIA-s, piloti gjerman u pyet nëse dominimi i tij kishte ngjashmëri me atë të Michael Schumachet kur pilotonte për Ferrarin dhe tre herë kampioni i Botës u përgjigj negativisht.

“Schumacher përfundonte garën 30 sekonda larg vendit të dytë, ndërsa ne kemi vetëm 6 sekonda diferencë. Vetëm Singapori ishte garë ndryshe, tek të tjerat kemi parë diferenca të vogla dhe punojmë shumë gjatë garës për të mbajtur këto diferenca”, shpjegoi Vettel, i cili vlerësoi punën e bërë tek Red Bulli për përmirësimin e makinës.

“Pas pushimeve të verës jemi përmirësuar ndjeshëm. U përmirësuam në provat zyrtare pasi Mercedesi dominonte ditën e shtunë. Punojmë gjatë gjithë fundjavës për të pasur një makinë sa më të mirë dhe gjithmonë teknikët sjellin pjesë të reja që na ndihmojnë në garë”, tha gjermani.

Top Channel