Januzaj shkakton debate në Angli

10/10/2013 00:00

Adnan Januzaj është kthyer në objekt polemikash në Britaninë e Madhe dhe shkak për këtë  u bë një deklaratë e Jack Wilshere në lidhje me mundësinë që 18-vjecari shqiptar ka për të luajtur me përfaqëesuesen e drejtuar nga Roy Hodgson.

Futbollisti i Arsenalit pati theksuar se te “Tre Luanët” duhet të grumbullohen vetëm futbollistë të lindur në Angli, gjë që nuk është mirëpritur nga Federata Angleze e Futbollit.

Sekretari i Përgjithshëm i saj, Greg Dyke i është kundërpërgjigjur menjëherë Wilshere duke e cilësuar deklaratën e tij disi të tepruar duke marrë si shembull në këtë pikë edhe atletin Mo Farah, kampion olimpik në 5000 dhe 10000 m.

“Të thuash se një futbollist që nuk ka lindur në Angli nuk mund të luajë me përfaqësuesen tonë është dicka e tepruar. Po të ishte kështu, atëherë për ne nuk do të garonte Mo Farah”, tha ai.

Ndërkohë ai që përkrahu idenë e Wilshere ishte pikërisht trajneri i përfaqesueses U21 të Anglisë, Garet Southgate që bëri një krahasim me përfaqësuesen e kriketit që ka në përbërje lojtarë me origjinë nga vende të tjera.

“Duket se këtu duan të aplikojnë filozofinë e skuadrës së kriketit. Problemi është se si do të bëhet kjo? Është një temë interesante, gati-gati një debat filozofik”, u shpreh ai.

Drejtuesit e Federatës Angleze iu kundëpërgjigjën edhe Southgate duke deklaruar se do të diskutojnë me këtë cështje dhe do të marrin një vendim pasi të kenë kuptuar se cila është zgjidhja më e mirë për futbollin anglez.

Top Channel