Dënimi shembullor për Beshiktashin

10/10/2013 00:00

Incidentet e dhunshme dhe trazirat e shpërthyera në derbin e Stambollit para dy javësh sollën edhe dënimin e skuadrës së futbollit turk Beshiktash. Por apelimi i klubit turk për penalizimin e dhënë, ka bërë gjykatën e arbitrazhit që të reduktojë dënimin dhe ta kthejë në një sanksion disi më të butë.

Beshiktashi do të duhet të zhvillojë 4 ndeshjet e ardhshme në shtëpi vetëm me spektatorë femra dhe fëmijë në stadium, një masë që synon të japë mesazhin për sjellje më të mirë në stadiume.

Kështu ndeshjet e programuara kundër Rizesporit, Kardemirit, Koniasporit dhe Sivasporit nuk do të mund të ndiqen nga meshkujt, pas sjelljeve të dhunshme dhe skenave të shëmtuara në fundin e ndeshjes kundër Gallatasarajit muajin e kaluar.

Derbi i Stambollit mes Beshiktashit dhe Gallatasarajit regjistroi një pjesëmarrje rekord me 76.127 tifozë në shkallët e stadiumit, por arbitri u detyrua të pezullonte ndeshjen në fund, pasi tifozët pushtuan fushën.

Gallatasaraji ishte duke kryesuar 2-1, por incidentet shpërthyen pas një kartoni të kuq ndaj brazilianti Felipe Melo. Ndëshkimit nuk i ka shpëtuar as trajneri i Beshiktashit, kroati Sllaven Bilic i cili është dënuar me 3 ndeshje për sjellje jo korrekte.

Top Channel