Buxheti SHBA, republikanët ofertë Obamës

10/10/2013 00:00

Republikanët i ofruan presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, një marrëveshje afatshkurtër në bazë të së cilës do të pranojnë një rritje të lehtë të tavanit të borxhit, në këmbim të negociatave për mënyrën e çbllokimit të buxhetit federal.

Kryetari i Kongresit, republikani John Boehner deklaroi se duke ofruar këtë marrëveshje, ata shpresojnë që të shmangin tërheqjen e shtetit nga detyrimet e tij financiare pas datës 17 Tetor, duke mundësuar zgjidhjen më të mirë të mundshme për përfundimin e krizës nëpërmjet bisedimeve.

“Ajo që ne i ofrojmë presidentit sot është aftësia për të manovruar nëpërmjet një rritje të lehtë të tavanit të borxhit, në këmbim të gatishmërisë së tij për t’u ulur dhe për të biseduar në një konferencë të gjerë për gjetjen e një zgjidhje për çbllokimin e fondeve federale”, deklaroi Boehmer.

Një përfaqësi e republikanëve do të takohen më vonë gjatë ditës me presidentin Obama.

Me kufirin e borxhit kombëtar të tejkaluar që prej muajit Maj dhe refuzimin e rritjes së këtij limiti prej republikanëve, që prej datës 1 Tetor ka hyrë në fuqi bllokimi i pjesshëm i fondeve federale.

Megjithatë, data limit për gjetjen e një marrëveshje është data 17 Tetor, dita kur SHBA do të tërhiqej gradualisht nga të gjitha detyrimet e saj financiare përsa i përket kësteve të borxhit të jashtëm dhe shlyerjes së faturave të brendshme.

SHBA, debati mbi borxhin, Thesari jep alarmin

Sekretari Amerikan i Thesarit, Jack Lew, paralajmëroi se gjetja përtej
afateve e një marrëveshje mbi borxhin do të ishte shumë e rrezikshme.

Sipas Lew, qeveria amerikane mund të mbetet papritur pa asnjë buxhet pas datës kufi të 17 Tetorit, çka do të kishte pasoja tepër të rënda.

Ai gjithashtu theksoi se sistemi i pagesave të Thesarit nuk është projektuar për të funksionuar pa fonde për pagesat, ndaj nuk ka asnjë buxhet të disponueshëm në gatishmëri për rastet e urgjencës.

Kufiri aktual për borxhin në SHBA, prej 16,699 trilion dollarësh u tejkalua në muajin Maj dhe presidenti Obama është duke u përballur me këmbënguljen e republikanëve, që kërkojnë një skemë të gjerë shkurtimesh, në mënyrë që të japin aprovimin e tyre për rritjen e kufirit aktual të borxhit.

Në dëshminë e tij përpara Komitetit të Financave të Senatit, Lew theksoi se nëse një marrëveshje nuk do të gjendet, Thesari nuk do të jetë në gjendje të mbulojë disa fatura të mëdha që duhet të shlyejë në muajt e mbetur të 2013-s, përfshi pagesat e spitaleve e mjekëve të përfshirë në skemën e “Obamacare”, përfituesit e Shërbimeve Sociale, veteranët e luftës apo anëtarët e forcave të armatosura.

Top Channel