Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, bëri publike të gjitha ndryshimet në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit.

Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, në një deklaratë për median, ai tha se “Këshilli i Ministrave vendosi largimin e Hysni Burgajt nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe e zëvendësoi atë me Artan Didin. Sokol Bizhga dhe Altin Qato do të jenë dy zv/drejtorët e Policisë së Shtetit, ndërsa Ardian Çipa është emëruar në krye të Policisë së Tiranës”.

Tahiri theksoi se nga 811 funksionarë, Drejtoria e Policisë së Shtetit, me reformën e re, do të ketë 255 punonjës.

“Këtu bëhet fjalë për një reformë themelore, strukturore dhe funksionale në Policinë e Shtetit. Unë, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, sapo kam firmosur strukturën e re të Policisë së Shtetit dhe janë gati vendimet përkatëse në zbatim të saj. Në vlerësimin tonë, struktura e re i përgjigjet ndreqjes së piramidës strukturore të përgjegjësive dhe zinxhirit të komandës në Policinë e Shtetit, i shërben demokratizimit dhe transparencës së strukturës dhe funksioneve të Policisë së Shtetit, por dhe shërbimit më të kujdesshëm ndaj qytetarëve. Në fazën e parë të reformës, që u mbyll sot, ne kemi rregulluar piramidën e Policisë së Shtetit, e theksoj, jemi në nisje të procesit për rregullimin përfundimtar të strukturës, duke garantuar që shërbimi policor ndaj qytetarëve të zbresë në nivelin bazë”, theksoi Tahiri.

Çdo i emëruar do jetë në testin e punës dhe rezultateve, për garantimin e rendit publik, theksoi ministri Tahiri, i cili njoftoi edhe disa ndryshime, që lidhen me policinë rrugore.

“Ne kemi menduar se funksionimi i deri më sotëm i Policisë Rrugore si komisariat më vete ka çaluar dhe në kuadër të filozofisë sonë për ndërtimin e një policie, kemi vendosur shkrirjen e Policisë Rrugore si komisariat më vete dhe bashkimin e saj me komisariatet ekzistuese të policisë, duke synuar ndarjen dhe bashkërendimin e përgjegjësive ndërmjet Policisë së Rendit, Policisë Kriminale dhe Policisë Rrugore, duke pretenduar se një nga arritjet e para do të jetë rregullimi përfundimtar i sjelljes së drejtuesve të automjeteve dhe i qarkullimit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Tahiri.

Ministri tha se filozofia e punës së Policisë së Shtetit është që të promovojmë drejtuesit, të cilët duhet të kenë dy cilësi të larta; jo të korruptuar e të kompromentuar dhe pa asnjë mundësi për t’u korruptuar në detyrë. “Policisë duhet t’i vijë stafeta e drejtuesve të rinj”, tha ministri i Brendshëm.

Top Channel