Ish-drejtuesi i FIFA-s: Botërori në Katar, një gabim

09/10/2013 20:10

Ish-drejtuesi i FIFA-s, kileni Harold Mayne-Nicholls, pranoi për “Daily Telegraph” se zgjedhja e Katarit si vend pritës të Botërorit të vitit 2022 ishte një gabim i rëndë dhe një bast “shumë i rrezikshëm” i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.

Në mendimin e tij, është bërë e domosdoshme që të rishikohen edhe një ofertë ofertat, për të caktuar një vend tjetër organizator, nëse emirati i vogël i Gjirit Persik nuk do të plotësojë kushtet për pritjen e këtij aktiviteti.

“Duhet të ndryshojmë mënyrën se si votohet dhe përzgjidhet një vend fitues”, deklaroi ish-drejtuesi i FIFA-s. “Ky sistem ka shumë probleme dhe nuk është më i pranueshëm”.

Sipas Mayne-Nicholls, “përzgjedhja e Katarit tregon fuqinë e parave. Ata ishin shumë ambiciozë dhe investuan shumë për këtë. Megjithatë, Katari aplikoi edhe për Lojrat Olimpike, ata studiuan ofertën teknike dhe i thanë jo. Këtë duhet të kishte bërë FIFA”.

I pyetur direkt për spekulimet se drejtues të FIFA-s pranuan rryshfete të majme për të votuar në favor të Katarit, Mayne-Nicholls nuk deshi të përfshihej në spekulime, duke thënë se “nuk ka asnjë mënyrë për të vërtetuar këtë”.

Top Channel